Besnik Bakiu, 44 Vite Punë në Policinë e Shtetit

Pasi ka shërbyer për 44 vjet me përkushtim dhe ndershmëri në Policinë e Shtetit, oficeri i karrierës Besnik Bakiu mbylli sot shërbimin aktiv dhe doli në pension, por e vazhdon misionin e tij në shoqëri.
Për kontributin e tij të çmuar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, i akordoi Bakiut Certifikatën e Karrierës me vlerësimin “Për merita të veçanta dhe profesionalizmin e treguar gjatë viteve në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Gjatë ceremonisë, Proda vlerësoi Bakiun, duke thënë: “Të shërbesh 44 vite në Policinë e Shtetit është një krenari për ty, familjen dhe shoqërinë. Dera jonë mbetet gjithmonë e hapur për të dhënë këshilla të vyera.”
Bakiu falenderoi drejtorin për certifikatën dhe shprehu përkushtimin të vazhdojë të jetë një zë aktiv në media dhe shoqërinë civile, duke mbrojtur angazhimin e policëve. Ai tha se do të vijojë të shkruaj poezi dhe artikuj mbi përbaltjen e padrejtë të Policisë së Shtetit.
Përveçse një oficer i dalluar, Bakiu është gjithashtu studiues dhe shkrimtar, i përkushtuar ndaj historisë dhe arritjeve të Policisë së Shtetit. Me daljen në pension, ai synon të ndajë përvojën e tij dhe të mbrojë figurën e punonjësve të Policisë.
Policia e Shtetit uron Bakiun për shëndet, mbarësi dhe frymëzim në kapitullin e ri të jetës, duke e falënderuar për shembullin që ka dhënë gjatë shërbimit të tij.
Një mision që do të mbetet gjithmonë në zemrat e kolegëve dhe memorien e shoqërisë.