Kontrolle strikte të Policisë Rrugore për sigurinë rrugore në të gjithë vendin
September 21, 2025
Shpërndaje

Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në mbarë vendin me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë. Këto kontrolle janë fokusuar në përdoruesit e patinave elektrike dhe ciklomotorëve, si dhe në shpejtësinë tej normave të lejuara.
Për patinat elektrike me motor elektrik deri në 0.25 kf dhe shpejtësi maksimale deri në 25 km/orë, përdorimi duhet të bëhet në përputhje me të gjitha rregullat e qarkullimit. Ndërsa për ciklomotorët, duke përfshirë motomjetet/patinat elektrike me shpejtësi maksimale mbi 25 km/orë e deri në 45 km/orë, drejtuesit duhet të kenë mbushur moshën 16 vjeç dhe të jenë të pajisur me lejedrejtimi të kategorisë AM.
Kontrollet janë intensifikuar gjithashtu edhe për abuzimet si: drejtimi i automjeteve dhe motomjeteve nën efektin e alkoolit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, mosvendosja e rripit të sigurimit dhe parakalimet e gabuara.
Policia Rrugore u bën apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Ata gjithashtu inkurajojnë qytetarët të denoncojnë çdo shkelje që cenon sigurinë rrugore në numrin 112.