Zonat malore në qarkun e Kukësit përjetojnë kushte dimërore me reshje dëbore dhe temperatura deri në -4 gradë Celsius, ndërsa në zonat më të ulëta reshjet janë në formë shiu.
Rajonet malore në qarkun e Kukësit po përballojnë kushte klimaterike dimërore, pavarësisht se jemi ende në fund të muajit tetor.
Në lartësitë mbi 1 mijë metra mbi nivelin e detit kanë ndodhur reshje dëbore, ndërsa temperaturat në këto zona kanë zbritur deri në -4 gradë Celsius.
Duket se dimri në këto zona tashmë ka ardhur, jo vetëm përmes temperaturave, por edhe përmes reshjeve. Dëbora e parë e këtij sezoni ka arritur bjeshkët e Gjalicës, ato të Tropojës dhe Shishtavecit.
Ndërkohë në zonat më të ulëta të qarkut, si në qytetin e Kukësit, në Krumë dhe Bajram Curri, reshjet kanë qenë në formë shiu, por me temperatura dimërore. Edhe pse një dimër i parakohshëm, në këto zona nuk janë raportuar vështirësi.