Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u intervistua të premten (30 tetor) nga Prokuroria Speciale e Kosovës në cilësinë e të pandehurit, nën dyshimet për veprën penale „Shpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“. Hetimet janë të lidhura me projektin „Arkitekti i Kryeqytetit“, për të cilin Komuna e Prishtinës kishte nxjerrë tender me vlerë të parashikuar 12 milionë eurosh.
Rama u paraqit në Prokurorinë Speciale rreth orës 13:30, dhe pas intervistimit deklaroi se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për të sqaruar çdo aspekt të lidhur me projektin.
Në deklaratën për mediat, kryebashkiaku i Prishtinës nuk u përmbajt nga kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se ai paraqitet në Prokurori, ndryshe nga kryeministri. „Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera. Jemi totalisht transparentë dhe për këtë arsye kam ardhur të diskutoj e të bisedoj, përkundër faktit që disa, si kryeministri, pa përmendur emra, nuk shkojnë. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për bashkëpunim me Prokurorinë, sepse kështu zhvillohet shteti demokratik“, tha Rama.
Ai nënvizoi se përgjegjësia e tij është zhvillimi dhe ndërtimi i Prishtinës, ndërsa Prokuroria ka për detyrë të verifikojë nëse gjithçka është realizuar në përputhje me ligjin.
„Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, ndërtimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit“, u shpreh ai.
Kur u pyet nga gazetarët nëse kishte pasur rrjedhje informacioni, pasi disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin njoftuar paraprakisht paraqitjen e tij në Prokurori, Rama nuk dha një përgjigje të qartë.
„Ju jeni profesionistë dhe vendosni vetë a ka pasur apo nuk ka pasur“, tha kryebashkiaku.
Çfarë është projekti „Arkitekti i Kryeqytetit“ dhe pse u denoncua?
Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit u themelua në vitin 2022 nga Komuna e Prishtinës, gjatë mandatit të Përparim Ramës.
Sipas raportimit të Radio Evropa e Lirë, ky shërbim parashikon hartimin e projekteve arkitekturore, urbanistike dhe infrastrukturore për kryeqytetin e Kosovës.






