Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është i gatshëm të zhvillojë një takim të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar edhe çështjet më të ndjeshme të luftës, përfshirë ato territoriale. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sibiha, në një intervistë për gazetën finlandeze Helsingin Sanomat.
Sibiha theksoi se Kievi është i gatshëm për një takim të tillë, duke vlerësuar se një bisedë kokë më kokë mes dy presidentëve mund t'u japë një shtysë të re negociatave për përfundimin e luftës.
„Ne e duam këtë takim dhe jemi gati për të. Ndoshta vetëm një takim midis Zelenskyt dhe Putinit mund t'i japë një vrull të ri negociatave“, deklaroi ministri ukrainas, duke shtuar se presidenti ukrainas është i gatshëm të diskutojë edhe çështjet territoriale.
Megjithatë, Kievi ka vendosur një kufizim për vendin ku mund të zhvillohet takimi. Sipas Sibiha-s, Ukraina nuk ka kundërshtime për një vendndodhje të caktuar, për sa kohë që takimi nuk zhvillohet në Moskë apo Bjellorusi. Ai e cilësoi gjithashtu si joserioze ftesën e Kremlinit që Zelensky të vizitojë kryeqytetin rus.
Ministri bëri të ditur se iniciativa për takimin është përcjellë edhe përmes kontakteve diplomatike të presidentit finlandez Alexander Stubb dhe kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre me Vladimir Putinin. Gjatë një bisede telefonike më 27 tetor, dy liderët skandinavë i kanë përcjellë presidentit rus kërkesën e Ukrainës për armëpushim dhe propozimin për një takim me Zelenskyn.






