Administrata e presidentit Donald Trump shqyrton mundësinë e operacioneve të reja ushtarake kundër Iranit, me sulmet e mundshme të planifikuara për më 4 nëntor, sipas raportimeve të mediave amerikane.
Tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rrezikojnë të përshkallëzohen përsëri, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump po vlerëson mundësinë e zhvillimit të operacioneve të reja ushtarake kundër Teheranit.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, sulmet mund të fillojnë sërish më 4 nëntor, menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të planifikuara për një ditë më parë.
Portali amerikan MS NOW, duke iu referuar tre zyrtarëve të lartë arabë që kanë folur në kushte anonimiteti, raporton se Uashingtoni ka informuar aleatët e tij në rajonin e Gjirit Persik për mundësinë e një vale të re goditjesh ushtarake kundër Iranit.
Sipas këtyre burimeve, bëhet fjalë për operacione të shkurtra, por intensive, të cilat mund të shënojnë një fazë të re të përballjes ndërmjet dy vendeve.
Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se presidenti amerikan ka miratuar një plan konkret për rifillimin e sulmeve.
Kur u pyet lidhur me këto informacione, një përfaqësues i Shtëpisë së Bardhë shmangur të komentonte planet e mundshme ushtarake, duke theksuar se administrata amerikane nuk diskuton publikisht operacionet që mund të ndërmarrë.
Zyrtari nënvizoi se presidenti Trump vazhdon t'i mbajë të hapura të gjitha alternativat, me qëllim të pengimit të Iranit në zhvillimin e armëve bërthamore.
Një faktor tjetër që mund të ndikojë në vendimmarrjen e Uashingtonit është situata politike brenda Partisë Republikane. Sipas raportimeve, mbështetësit e Trump nuk kanë një qëndrim të unifikuar për përfshirjen e mëtejshme amerikane në konflikt me Iranin.
Ndërsa një pjesë mbështet një politikë më të ashpër ndaj Teheranit, të tjerë kundërshtojnë angazhimin e SHBA-së në operacione të reja ushtarake jashtë vendit.
Për momentin, përballja ushtarake ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit mbetet në një fazë pezullimi. Sipas raportimit, forcat amerikane nuk kanë ndërmarrë sulme ndaj objektivave iraniane që nga 1 shtatori.
Vetë Trump kishte deklaruar më herët se nuk synonte të autorizonte operacione të reja ushtarake gjatë periudhës zgjedhore.
Në këto rrethana, ditët pas zgjedhjeve të 3 nëntorit mund të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse tensionet ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të mbahen nën kontroll apo do të shndërrohen në një përballje të re ushtarake.