Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të dalin masivisht në votime dhe të mbështesin Koalicionin Shqiptar me numrin 17 në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi.
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje sot shqiptarëve të Luginës së Preshevës që nesër të dalin në masë në votime dhe të mbështesin Koalicionin Shqiptar me numrin 17.
Kurti ka rikujtuar se më 29 shtator ka pritur në takim udhëheqësit e subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës, takim që përfundoi me marrëveshjen e tyre për të garuar bashkërisht në listën e Koalicionit Shqiptar, sipas raportimit të KosovaPress.
„Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë të drejtë ta ndërtojnë jetën në vendlindje, me mundësi të barabarta. Diskriminimi, përjashtimi dhe shtypja kërkojnë një përgjigje të vendosur demokratike. Me solidaritet. Me këmbëngulje. Me pjesëmarrje“.
"Nesër është dita kur duhet të shprehni vullnetin tuaj. Përmes votës, secili e secila vendos për përfaqësimin, me kundërvënie si përgjigje. Të gjithë ju që ndodheni në Kosovë dhe keni të drejtë vote në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë duhet të jeni nesër në vendlindje për të votuar.
„Sikurse, u bëj thirrje bashkëkombësve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të përfshihen aktivisht e të dalin secili e secila për të votuar dhe të mbështesin numrin 17, Koalicionin Shqiptar. Fletëvotimi peshon pak në dorë, por vendimi peshon mbi të ardhmen“, thuhet në deklaratën e kryeministrit Kurti.
Subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës do të garojnë në një listë të përbashkët për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi. Për herë të parë, në vitin 2020, partitë politike shqiptare u bënë bashkë dhe garuan në një listë të vetme, duke siguruar tri vende në Kuvendin prej 250 ulësesh të Serbisë. Në zgjedhjet e mëvonshme, ato garuan ndaras, duke fituar vetëm një mandat.