Një grua u vra në Kosovë, në Vitomiricë, dy orë pasi kishte raportuar dhunën në familje në polici. Para vrasjes, ajo i ishte drejtuar kryeprokurores të Prokurorisë së Pejës me një letër në të cilën kërkonte hetim për zyrtarët që trajtoheshin me rastin e saj.
Një grua ka mbetur e vrarë mbrëmjen e djeshme në Kosovë, në Vitomiricë, vetëm dy orë pasi kishte denoncuar në polici dhunën në familje. Viktima, rreth tre ditë para vrasjes, përmes një letre i ishte drejtuar kryeprokurores të Prokurorisë së Pejës, duke shprehur pakënaqësinë ndaj zyrtarëve të cilët po e trajtoheshin rastin e saj.
„Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime“, kishte shkruar viktima.
Përmes asaj letre, viktima kishte kërkuar hetim për të gjithë zyrtarët, duke nisur edhe nga Qendra për Punë Sociale.
„Kjo është shpresa ime e fundit“, kishte shkruar ajo.
Lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Pejë njofton se ka angazhuar prokuror për trajtimin e pretendimeve të viktimës, menjëherë pas pranimit të shkresës.
„Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent, me qëllim të vlerësimit të pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale 'Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar'“, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Bëhet e ditur se „parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent autoriteteve përkatëse institucionale, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën për shqyrtimin e pretendimeve dhe verifikimin e lëshimeve eventuale apo veprimeve të zyrtarëve përkatës, brenda përgjegjësive të tyre institucionale“.