Kryeministri Edi Rama ka njoftuar 10 pika kryesore të Paketës Fiskale 2027, duke përfshirë uljen e TVSH-së për ushqimet bazë, rritjen e tatimit mbi dividentin dhe krijimin e një Byroje të Specializuar për kontrollin e të ardhurave.
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar 10 pikat kryesore të Paketës Fiskale 2027, duke njoftuar ndryshime në taksimin e dividendit, pronave dhe automjeteve luksoze.
Ndër masat e bëra publike janë edhe themelimi i një Byroje të Specializuar për kontrollin e të ardhurave, si dhe iniciativa që, sipas Ramës, synojnë të lehtësojnë barrën për familjet dhe të zvogëlojnë hendekun social.
Rama deklaroi se për herë të parë në histori buxheti i shtetit shqiptar kalon pragun e 10 miliardë eurove, ndërsa borxhi publik i Shqipërisë ka arritur në një nivel të ulët historik. Ai shtoi se shifrat dhe faktet e institucioneve financiare ndërkombëtare tregojnë se ekonomia shqiptare vazhdon të jetë ndër më dinamiket në rajon, me një rritje të qëndrueshme dhe të nivelit të të ardhurave reale për të gjitha shtresat e popullatës.
Rama theksoi se arritja e pragut prej 30 miliardë eurosh të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, kur 10 vjet më parë ky prodhim ishte në 10 miliardë eurot, ilustron panoramën optimiste të ekonomisë. Ai shtoi se në Buxhetin e vitit 2027 dhe Programin Buxhetor Afatmesëm, i cili përkon me pjesën e dytë të mandatit 2027-2029, janë planifikuar një sërë masash ambicioze të politikës ekonomike, fiskale dhe sociale.
Kryeministri deklaroi se dëshira e qeverisë është më shumë biznese, më shumë kompani, më shumë investime private të vogla e të mëdha, vendase e të huaja, si dhe më shumë njerëz të pasur në Shqipëri, pasi problemi nuk janë të pasurit, por hendeku mes atyre që kanë shumë dhe atyre që kanë shumë pak. Rama shtoi se qeveria mbetet partizane e taksimit të ndershëm, ku kush fiton më shumë paguan më shumë, dhe është këtu për të zbutur hendeqet sociale.
Rama njoftoi se ulet norma TVSH për ushqimet bazë nga 20% në 6% për 54 produkte, përfshirë mishin, peshkun, bulmetin, vezët, mielin, vajrat, sheqerin, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat. Ai tha se me këtë masë shtohen në arkën e familjeve shqiptare rreth 150 milionë euro në vit për ushqimin. Njëkohësisht, praktika e Pasqyrës së Çmimeve do të zgjerohet për të garantuar që ulja e çmimeve të shportës të jetë e mbrojtur nga abuzuesit.
Rama tha se norma standarde e TVSH-së rritet me 1% si kompensim i ndershëm kontributesh nëpërmjet rishpërndarjes, ndërsa për të gjitha mallrat jashtë shportës të gjithë do të kontribuojnë që shporta për ata që e kanë më të vështirë fundin e muajit të jetë e garantuar. Ai shtoi se nuk rritet norma e tatimit të fitimit të sipërmarrjes, e cila mbetet 15%, por rritet tatimi mbi dividentin nga 8% në 15%, duke ngarkuar biznesmenët e mëdhenj me një taksë më të ndershme mbi fitimin e tyre.
Rama njoftoi se ulim barrën tatimore për 32 000 tatimpagues të shtresës së mesme, duke rritur pragun e sipërm të tatimit mbi pagën nga 200 mijë në 300 mijë lekë të reja. Ai tha se vendoset edhe një prag i ri i tatimit mbi pagën në 700 mijë lekë të reja, ku norma e tatimit bëhet 30%, si instrument për të mbyllur shtegun e evazionit të dividentit. Njëkohësisht, ulim pragu i aplikimit të TVSH-së për çdo biznes me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, ndërsa zotimi publik për taksën zero mbi fitimin për biznesin e vogël deri në vitin 2029 mbetet i pandryshuar.
Rama tha se rritet norma e TVSH-së në hoteleri nga 6% në 10%, duke përjashtuar agroturizmin. Ai njoftoi se ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që kanë të ardhura të larta përmes rrjeteve sociale dhe duke vazhduar me tregtinë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave. Rama shtoi se do të vendoset një super-taksë prone për ata që blejnë e mbajnë apartamente bosh, një super-taksë prone për vilat në bregdet, një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave dhe një super-taksë për makinat e luksit.
Rama deklaroi se pranë Ministrisë së Financave do të krijohet një Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave, pasi formulari i deklarimit të të ardhurave do të ndryshojë sipas formatit të shteteve të Bashkimit Europian. Ai tha se do të heqet taksa e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do të ulet automatikisht 32 lekë në pompë çmimi i naftës, ndërsa taksa do të rikthehet tek makina dhe do të mblidhet përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Rama shtoi se do të vendoset një taksë e re qarkullimi për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.