Shqipëria pritet të bëhet vendi me tatimin më të lartë mbi fitimin e korporatave në Ballkanin Perëndimor, nëse miratohet paketa e re fiskale për vitin 2027. Rritja e tatimfitimit nga 15% në 17%, e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% dhe vendosja e një shkalle të re tatimi prej 32% për pagat e larta do ta thellonin diferencën me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Shqipëria do të kalonte edhe Serbinë, me të cilën aktualisht ka të njëjtën normë standarde tatimfitimi prej 15%. Përballë kësaj rritjeje të propozuar të taksave, përfaqësuesit e biznesit kanë njoftuar zhvendosjen e aktivitetit dhe investimeve drejt vendeve fqinje.
„Monitor“ ka krahasuar normat kryesore tatimore në vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe në Hungari dhe Rumani, dy ekonomi të Europës Qendrore dhe Lindore që kanë ndjekur modele të ndryshme të taksimit.
Krahasimi tregon se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina aplikojnë një normë standarde tatimfitimi prej 10%, ndërsa Mali i Zi e nis tatimin nga 9%, duke e rritur në mënyrë progresive deri në 15%. Serbia aplikon një normë prej 15%, ndërsa Shqipëria, me propozimin e ri prej 17%, do të pozicionohej mbi të gjitha këto ekonomi.
Diferenca është edhe më e madhe në tatimin mbi të ardhurat personale. Shqipëria aktualisht aplikon një sistem progresiv, me norma 13% dhe 23% për pjesën e të ardhurave të tatueshme mbi pragjet përkatëse, ndërsa paketa e re parashikon një shkallë të tretë prej 32% për pjesën e pagës bruto që tejkalon 700 mijë lekë në muaj.
Në Kosovë, norma më e lartë e tatimit mbi të ardhurat personale është 10%, po aq sa në Maqedoninë e Veriut. Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi pagat është 10% në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës dhe në Distriktin e Bërçkos, ndërsa në Republikën Srpska është 8%. Mali i Zi aplikon norma progresive prej 9% dhe 15%, ndërsa Serbia taton pagat me 10%, krahas një tatimi vjetor shtesë për individët që tejkalojnë kufijtë e përcaktuar të të ardhurave.
Nga taksa e sheshtë te rikthimi i normave të larta
Diferencat aktuale tatimore në rajon lidhen edhe me politikat fiskale që vendet e Ballkanit ndoqën gjatë tranzicionit ekonomik dhe vijueshmërinë e tyre.
Në vitet 2000, një pjesë e madhe e ekonomive të Europës Qendrore dhe Lindore u orientuan drejt taksës së sheshtë, me synimin për të thjeshtuar sistemin fiskal, për të nxitur formalizimin dhe për të përmirësuar konkurrueshmërinë në tërheqjen e investimeve.
Shqipëria e ndoqi këtë model në gusht të vitit 2007, kur vendosi tatimin e sheshtë prej 10% mbi të ardhurat personale. Nga janari i vitit 2008, edhe tatimi mbi fitimin e korporatave u ul nga 20% në 10%.
Një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar i vitit 2008 e lidhte reformën me synimet për përmirësimin e klimës së investimeve, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe thjeshtimin e mbledhjes së taksave.
Por ky model u ndryshua në vitin 2014. Shqipëria e rriti tatimin mbi fitimin nga 10% në 15% dhe riktheu tatimin progresiv mbi pagat, me norma nga zero në 13% dhe zbatoi për herë të parë një diferencim për pagat e larta me tatim 23%. Ndryshimi e largoi vendin nga grupi i ekonomive të rajonit që vijuan të mbanin norma më të ulëta mbi fitimin dhe të ardhurat personale.
Edhe Serbia e rriti tatimin mbi fitimin nga 10% në 15%, duke filluar nga viti 2013, në kuadër të masave të konsolidimit fiskal për të ulur deficitin buxhetor.
Ndërkohë, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë ruajtur norma relativisht të ulëta të tatimit mbi fitimin. Mali i Zi ka kaluar në një sistem progresiv për korporatat, por me normën fillestare prej 9%.
Tatimfitimi 17%, dividendi 15%, pagat e larta deri në 32%
Paketa e propozuar fiskale për vitin 2027 parashikon njëkohësisht ndryshime në tri taksat kryesore mbi të ardhurat dhe fitimet.
Norma standarde e tatimit mbi fitimin e korporatave do të rritet me 2 pikë përqindjeje, nga 15% në 17%. Sipas përllogaritjeve në relacionet e projektligjeve, kjo masë pritet të sjellë rreth 5 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhet.
Tatimi mbi dividendin do të rritet nga 8% në 15%, duke sjellë sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave rreth 3 miliardë lekë të tjera.
Kjo do ta çonte tatimin mbi dividendin në Shqipëri në të njëjtin nivel me atë të Serbisë, Malit të Zi dhe Hungarisë, kur krahasohen normat e përgjithshme për individët rezidentë.
Në Kosovë, dividendët janë të përjashtuar nga tatimi. Maqedonia e Veriut aplikon normën 10%. Në Bosnjë-Hercegovinë, trajtimi i dividendëve ndryshon sipas entitetit dhe rezidencës së përfituesit; për pagesat ndaj kompanive jorezidente, norma e përgjithshme e mbajtjes në burim është 5% në Federatë dhe 10% në Republikën Srpska, me mundësi ndryshimi sipas marrëveshjeve tatimore.
Në Shqipëri, ndryshimi i propozuar për tatimin mbi pagat përmban dy masa me efekte të kundërta. Rritja nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj e pragut mbi të cilin zbatohet norma 23% do të ulë barrën tatimore për një pjesë të punëmarrësve, me një kosto të vlerësuar buxhetore prej 1.98 miliardë lekësh.




