Davor Macura, pronari i „Alta Bank“-ës në Serbi dhe i afërt me Aleksandar Vuçiç, u ndalua nën dyshimin se ka nxjerrë në mënyrë të paligjshme rreth 45 miliardë dinarë, apo afërsisht 380 milionë euro, nga kasaforta e bankës.
Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë njoftoi më 2 nëntor se, përveç Macurës, u ndaluan edhe dy punonjës të lartë të bankës: drejtori i departamentit që menaxhon paratë e gatshme, G.M., dhe një zyrtar tjetër i këtij departamenti, I.P.
Sipas Prokurorisë, Macura dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij për të marrë para nga banka, me ndihmën e dy zyrtarëve të tjerë. Ata dyshohet se i kanë dhënë kartelat e tyre të hyrjes në kasafortë ose ia kanë mundësuar hyrjen duke e shoqëruar, edhe pse ai nuk kishte autorizim për të hyrë aty.
Prokuroria bëri të ditur se më 31 tetor dhe 1 nëntor janë kontrolluar ambientet e „Alta Bank“-ës dhe banesa e Macurës. Gjatë kontrolleve është bërë edhe numërimi i parave të gatshme që ndodheshin në kasafortën e bankës. Tre të dyshuarit u ndaluan për 48 orë dhe pritet të merren në pyetje nga Prokuroria për Krim të Organizuar.
Avokati i Macurës, Isa Spahoviç, tha për Radion Evropa e Lirë se klientit të tij i është dorëzuar vendimi për ndalim. „Nesër ai do të dalë para Prokurorisë, e cila do t'ia paraqesë hollësitë e rastit, përfshirë veprën penale për të cilën dyshohet, dhe do t'i kërkojë të deklarohet lidhur me akuzat. Ai ka të drejtë të deklarohet dhe mbetet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë“, tha Spahoviç.






