Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e menjëhershëm të shtetasit O. Ç., i arrestuar më 29 tetor gjatë protestave.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka marrë vendimin për lirimin e menjëhershëm të shtetasit me inicialet O. Ç., i cili u arrestua më 29 tetor 2026 gjatë protestave të dhunshme në vend.
Për të dyshuarin janë caktuar dy masa sigurimi: detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore dhe ndalim për të qëndruar jashtë territorit të njësisë administrative ku ka vendbanimin, pa autorizimin e gjykatës.
Vendimi u miratua më 1 nëntor 2026, pasi u shqyrtua kërkesa e Prokurorisë për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurimit personal.
O. Ç. dyshohet për kryerjen e veprave penale „Shkatërrimi i pronës“ dhe „Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme“, të parashikuara nga nenet 150 dhe 263 të Kodit Penal.
Sipas vendimit të gjykatës, personi nën hetim duhet të paraqitet pranë policisë gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës të hënën e parë të çdo muaji, në orën 11:00.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu që ai të mos largohet nga territori i njësisë administrative në Dibër, ku ka vendbanimin, pa autorizimin e gjykatës, si dhe të mos shkojë në zonat ku zhvillohen tubime ose protesta.