Shqipëria renditet në vendin e 47-të në klasifikimin ndërkombëtar të performancës së nxënësve 15-vjeçarë, duke lënë pas disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Sipas të dhënave të publikuara nga Visual Capitalist, të cilat paraqiten si të bazuara në vlerësimet ndërkombëtare PISA të OECD-së, nxënësit shqiptarë kanë regjistruar një mesatare prej 425.3 pikësh në tri fushat kryesore të testimit: matematikë, shkencë dhe lexim.
Rezultatet tregojnë se performanca më e mirë e nxënësve shqiptarë është regjistruar në shkencë, me 435 pikë, e ndjekur nga matematika me 433 pikë. Ndërkohë, leximi mbetet fusha me rezultatin më të ulët, me një mesatare prej 408 pikësh.
Në krahasimin me vendet fqinje, Shqipëria rezulton më lart në klasifikim sesa Mali i Zi, i cili pozicionohet në vendin e 50-të me 421.3 pikë.
Menjëherë pas tij renditet Serbia, në vendin e 51-të, me një mesatare prej 420.3 pikësh.
Diferenca bëhet më e theksuar në raport me Maqedoninë e Veriut, e cila renditet e 73-ta me 371.7 pikë, ndërsa Kosova pozicionohet në vendin e 82-të me 349 pikë.
Megjithatë, pavarësisht pozicionimit më të favorshëm ndaj këtyre vendeve të rajonit, Shqipëria mbetet larg sistemeve arsimore që kryesojnë klasifikimin ndërkombëtar.
Rezultatet më të larta në matematikë, shkencë dhe lexim vazhdojnë të regjistrohen në sistemet arsimore të Azisë Lindore, të cilat mbajnë gjashtë pozicionet e para të klasifikimit.



