Kalo te përmbajtja kryesore

Ditë e ngarkuar politike, Rama takon ministrat për buxhetin 2027, partitë takojnë Begajn për zgjedhjet lokale

Kryeministri Edi Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit e PS-së për buxhetin 2027, ndërsa partitë zhvillojnë takime me Presidentin Begaj për datën e zgjedhjeve lokale.

Nga Redaksia

· 2 min lexim

Shpërndaje
Ditë e ngarkuar politike, Rama takon ministrat për buxhetin 2027, partitë takojnë Begajn për zgjedhjet lokale

Pikat kryesore

  • Kryeministri Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit e PS-së për të diskutuar buxhetin dhe paketën fiskale 2027.
  • Partia Socialiste dhe Partia Social-Demokrate zhvillojnë takime me Presidentin Begaj për datën e zgjedhjeve lokale.
  • Partia Demokratike refuzon të marrë pjesë në konsultimet me Presidentin për datën e zgjedhjeve.

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste në një takim në orën 09:30.

Takimi vjen në një moment zhvillimesh të rëndësishme politike, pas protestave të dhunshme të zhvilluara disa ditë më parë në Tiranë, si dhe në kohën kur buxheti dhe paketa fiskale 2027 pritet të kalojnë së shpejti në Kuvend.

Në orën 10:00, në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, do të bëhet prezantimi i projektligjit „Për Buxhetin e vitit 2027

⦁ Projektligji „Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012, 'Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë', të ndryshuar“.

⦁ Projektligji „Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.92/2014, 'Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë', të ndryshuar“.

⦁ Projektligji „Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, „Për Taksat Kombëtare“, të ndryshuar".

⦁ Projektligj „Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.29, datë 30.3.2023, 'Për Tatimin mbi të ardhurat', të ndryshuar“.

⦁ Projektligj „Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, 'Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë', të ndryshuar“.

Ndërkohë në orën 09:00, përfaqësues të Partisë Socialiste do të zhvillojnë një takim me Presidentin Bajram Begaj për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. Takim me Presidentin për datën e zgjedhjeve do të zhvillojnë edhe përfaqësues të Partisë Social-Demokrate të drejtuar nga Tom Doshi, në orën 11:00.

Data e zgjedhjeve shpallet nga Presidenti, 9 muaj para përfundimit të afatit të mandatit të kryetarit aktual, ndaj 6 nëntori përllogaritet si afati fundor që kodi elektoral dikton për nxjerrjen e datës së zgjedhjeve, që duhet të jetë një e diel mes periudhës 15 prill-15 maj të 2027.

Ftesa e Begajt për konsultime me subjektet politike për datën e zgjedhjeve u refuzua publikisht nga Partia Demokratike, e cila njëjtë si në zgjedhjet e kaluara, nuk do t'i përgjigjet pozitivisht Presidentit. Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi e quajti nisjen e konsultimeve teatër.

Deri më tani, asnjë nga partitë e tjera nuk kanë shprehur publikisht një datë të preferuar, por muaji maj shikohet si më i përshtatshmi për t'iu drejtuar kutive të votimit. Data 2 maj përjashtohet, pasi sipas kalendarit të Festave Zyrtare, është e diela e Pashkëve Ortodokse. Data më e mundshme mbetet ajo e 9 majit, që njihet edhe si Dita e Europës.

Burimi: Ora News

Shpërndaje

Lajme të ngjashme