Këshilli Prokurorial i Kosovës pezulloi kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokuroren e çështjes pas dyshimeve për mosveprime lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Këshilli Prokurorial i Kosovës këtë të enjte pezulloi nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e çështjes, Arlinda Nallbani Gacaferri.
Ky vendim vjen pasi kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, kishte rekomanduar pezullimin e tyre dhe kishte njoftuar procedurë disiplinore.
Vendimi u miratua në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK-së. Pezullimi u votua me 7 vota pro. Këshilli themeloi gjithashtu një grup hetimor për shqyrtimin e çështjes.
Masat ndaj dy prokuroreve u morën pas dyshimeve për mosveprimet e tyre lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës.
Tre ditë para vrasjes, Arlinda kishte kërkuar nga institucionet ndërhyrje urgjente për mbrojtjen e saj. Mediat në Kosovë publikuan audio ku Zekaj kërkonte ndihmën nga institucionet.
Në bisedë ajo shpreh shqetësim për sigurinë e saj dhe të djalit. Ajo shpreh frikën se mund të vritej dhe paralajmëron se zyrtarët do të mbanin përgjegjësi.