Një autobus dhe një furgon me nxënës të gjimnazit Naim Frashëri nga Durrësi janë ndaluar në Kotor. Katër nxënës dhe një mësuese mbeten në ambientet e policisë pas një incidenti që dyshohet të lidhet me gjestin e shqiponjës dhe një përplasje.
Një udhëtim turistik i nxënësve të gjimnazit „Naim Frashëri“ nga Durrësi drejt Malit të Zi është ndërprerë pas një incidenti në qytetin e Kotorit, ku policia ka ndaluar një autobus dhe një furgon me nxënës dhe mësues shoqërues.
Sipas denoncimit të publikuar nga JOQ, në mjetet e ndaluara udhëtonin nxënës të mitur, të cilët bashkë me mësuesit janë mbajtur për disa orë në ambientet e policisë. Në fillim, familjarët nuk kanë marrë shpjegim për arsyen e ndalimit dhe, për këtë arsye, i janë drejtuar Ambasadës Shqiptare në Mal të Zi dhe institucioneve arsimore në Durrës për të kërkuar informacion.
Sipas raportimit, ndalimi dyshohet të ketë lidhje me një incident ku janë përfshirë disa nxënës. Tre prej tyre kanë bërë gjestin e shqiponjës me duar, ndërsa një nxënës tjetër dyshohet se është përfshirë në një përplasje me një grua malazeze, e cila më pas ka njoftuar policinë.
Nga të dhënat e fundit, thuhet se pjesa më e madhe e grupit është larguar nga komisariati dhe është nisur drejt hotelit. Ndërkohë, katër nxënës dhe një mësuese raportohet se vijojnë të qëndrojnë në ambientet e policisë në Kotor.
Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet malazeze që të sqarojë rrethanat e ngjarjes ose arsyen e saktë të ndalimit të nxënësve.