Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve. Nafta do të shitet me maksimum 212 lekë për litër, ndërsa benzina me 179 lekë për litër.
Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja të shitjes me pakicë dhe shumicë të karburanteve në vend. Sipas vendimit të marrë këtë të shtunë, më 31 tetor 2026, çmimi i naftës nuk do të jetë më shumë se 212 lekë për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 179 lekësh për litër.
Konkretisht, çmimi i shitjes me shumicë për gazoilin është përcaktuar në jo më shumë se 200 lekë për litër, ndërsa për benzinën në 167 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, në orën 12:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të shqyrtohen ndryshimet e mundshme të çmimeve.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit, duke paralajmëruar se për shkeljet e konstatuara mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Vendimi është marrë në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme.