Dy shtetas nga Kosova, të dënuar me nga 15 vite burg për vjedhje me dhunë, janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë.
Dy shtetas kosovarë, të dënuar me nga 15 vite burg secili në Gjermani për vjedhje me dhunë, janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës, me synim ekstradimin drejt shtetit gjerman. Sipas njoftimit të Policisë, në kuadër të operacionit të koduar „Wanted“ janë kapur shtetasit G. M., 22 vjeç, dhe F. B., 24 vjeç, të dy banues në Vushtrri.
Të dy ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, pasi Gjykata e Erfurtit, në Gjermani, më 1 qershor 2026, i kishte dënuar me nga 15 vite burgim secilin.
Dy të rinjtë akuzohen për veprat penale „Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim“ dhe „Dëmtim prone“, të parashikuara nga Kodi Penal gjerman. Arrestimi i tyre u realizua nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të kontrolleve për identifikimin dhe kapjen e personave në kërkim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, po vijon procedurat për finalizimin e ekstradimit të dy shtetasve drejt Gjermanisë.