Polonia përballet me një krizë institucionale pasi policia anti-rebelim është vendosur në Gjykatën Kushtetuese në Varshavë, në mes të përplasjes mes qeverisë dhe gjyqtarëve të lidhur me ish-qeverisjen e së djathtës.
Polonia përballet me një përshkallëzim të thellë politik dhe institucional, pasi policia anti-rebelim është vendosur në Gjykatën Kushtetuese në Varshavë, në mes të përplasjes mes qeverisjes Donald Tuskut dhe gjyqtarëve të lartë të lidhur me ish-qeverisjen e Ligjit dhe Drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë Waldemar Żurek ka kërkuar heqjen e imunitetit nga ndjekja penale për presidentin e gjykatës Bogdan Śëięczkoëski dhe zëvendësin e tij Bartłomiej Sochański, me qëllim ngritjen e akuzave penale.
Përplasja u tensionua më tej kur mbështetës të PiS u mblodhën jashtë godinës, ndërsa policia ndërhyri për të penguar protestuesit të hynin në gjykatë. Presidenti polak Karol Naërocki anuloi një udhëtim në Senegal dhe u paraqit në Gjykatën Kushtetuese, duke u përfshirë drejtpërdrejt në krizën institucionale.
Vetë gjykata deklaroi se dy gjyqtarët që qeveria kërkon të ndjekë penalisht janë ende drejtuesit e ligjshëm të saj dhe e cilësoi ndërhyrjen si një „grusht shteti“. Ndërkohë, Tusk e justifikoi aksionin duke thënë se rikthimi i shtetit të së drejtës është detyrë e qeverisë dhe kërkon veprime vendimtare pas viteve të asaj që ai e cilëson si paligjshmëri të PiS.
Kriza lidhet me reformën e diskutueshme të drejtësisë të ndërmarrë nga Ligj dhe Drejtësi, e cila sipas Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës së Drejtësisë të BE-së ka dëmtuar pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.
Përplasja politike vjen një vit para zgjedhjeve parlamentare, ndërsa kritikët e Tuskut e akuzojnë për tejkalim të kompetencave dhe paralajmërojnë se përdorimi i policisë së armatosur ndaj institucionit kushtetues mund të thellojë krizën e shtetit të së drejtës në Poloni.