Ndërsa qeveria përqendronte të gjitha përpjekjet në një front, duke u munduar prej javësh të qetësonte valën e protestave të studentëve me çdo mjet në dispozicion, deri te gjobat prej mijëra eurosh që tërhoqën edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, një tjetër front u hap papritur.
Disa biznese, të lëna pa mbrojtje nga forcat e rendit, kishin pësuar dëmtime fizike në ditët dhe netët e trazuara. Ato po përjetonin edhe ngadalësim të aktivitetit. Duke menduar se ishin nën besën e qeverisë që po premtonte dëmshpërblime, madje reklamoi platformën „Dëmi im“, ata u gjetën nën „zjarrin“ goditës të paketës fiskale të propozuar papritmas për vitin 2027.
Por, si rrallëherë më parë, pothuajse e gjithë sipërmarrja, nga prodhuesit dhe eksportuesit te turizmi dhe investitorët e huaj, nga të vegjlit, profesionisti i lirë deri te të mëdhenjtë, u bashkua kundër një pakete fiskale, të pajisur me një arsenal taksash shumë më të larta. Edhe më i fortë ishte reagimi i organizatave që përfaqësojnë investitorët ndërkombëtarë.
Paralajmërimet janë serioze: shtyrje apo anulim investimesh, mbyllje aktivitetesh, humbje vendesh pune dhe zhvendosje e kapitalit drejt vendeve të tjera të rajonit. Janë mesazhe që vështirë se mund të shpërfillen nga një ekonomi që ka nevojë për investime, teknologji, eksporte dhe vende pune më të mirëpaguara.
Ironia bëhet edhe më e dukshme, se kjo ndodhi në një kohë kur Kryeministri ka prezantuar „BESËN“ si konceptin mbi të cilin duhet të ndërtohet marrëdhënia e re e shtetit me qytetarët dhe bizneset, duke e shpjeguar përmes besimit, empatisë, shërbimit dhe angazhimit.
Ironia kalon në sarkazëm kur kjo ndodhi pikërisht në ftesën për „DIALOG“ që kryeministri shfaq me skenografi para ndërtesës së Kryeministrisë si mjet për të dëgjuar dhe për të zgjidhur shkaqet e zemërimit.
Mes „Besës“ dhe „Dialogut“, biznesi pothuaj pa dallim i të gjithë sektorëve të ekonomisë, u gjet nën zjarrin e beftë tatimor.
Në fakt, sjellja e qeverisë nuk është e re. Ndryshimet tatimore shpesh janë prezantuar në fund të vitit, me kohë të kufizuar për konsultime, për t'u miratuar më pas përmes forcës së kartonit të shumicës parlamentare me pak ndryshime dhe pa reflektuar për thelbin e propozimeve nga biznesi.
Këtë herë, megjithatë, kjo praktikë po përballet me një rezistencë më të gjerë, pasi me sa duket për bizneset ka ardhur një pikë ku nuk mbajnë më.
Problemi tjetër është mungesa e një analize të sinqertë dhe të plotë të efekteve të paketës. Propozimet janë ndryshuar brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër, disa herë edhe brenda 24 orësh. Një masë shpallet, një tjetër tërhiqet, një taksë ulet, një tjetër rritet, duke krijuar një kakofoni skenarësh.
Efektet surprizë mund të krijojnë suspansë në një film, por nuk janë mënyra se si duhet të funksionojë një qeveri serioze. Përkundrazi, duket sikur kjo mënyrë është zgjedhur qëllimisht që palët e interesuara edhe të duket se konsultohen, edhe të çorientohen në propozime që mund të mos jenë më në diskutim.
Politika fiskale nuk mund të hartohet si një seri njoftimesh të njëpasnjëshme. Ajo përcakton vendime që bizneset i planifikojnë për vite me radhë: sa të investojnë, sa të punësojnë, ku të hapin një fabrikë, nëse të zgjerojnë prodhimin apo të hyjnë në tregje të reja.
Një ekonomi nuk mund të ndryshojë sjelljen e saj me të njëjtën shpejtësi me të cilën qeveria harton një projektligj, e po ashtu edhe bizneset.
Për më tepër, rritjet e vazhdueshme të të ardhurave buxhetore nuk janë shoqëruar me të njëjtin përmirësim të shërbimeve publike dhe taksapaguesit nuk ndiejnë që këto para t'u kthehen mbrapsht, përkundrazi shohin që taksat e tyre i përpin vala e skandaleve të verifikuara nga SPAK-u për abuzime të mëdha me fondet publike.
Qytetarët dhe bizneset paguajnë taksa dhe kontribute, por detyrohen të ecin në rrugë të pambaruara prej vitesh, të paguajnë gati gjysmën e shpenzimeve shëndetësore nga xhepi apo të shohin fëmijët e të afërmit që vazhdojnë të ikin në emigracion me ritme si në fillim të viteve '90.
Një tjetër pikëpyetje lidhet me mënyrën se si shpërndahen paratë publike. Ndërsa biznesit i kërkohet të kontribuojë më shumë, një pjesë e konsiderueshme e burimeve buxhetore vazhdon të angazhohet në kontrata afatgjata koncesionare dhe Partneritete Publike-Private.
Detyrimet që rrjedhin prej tyre kufizojnë hapësirën për të financuar politika të tjera zhvillimore. Ndërsa koncesioneve të dekadës së fundit u ka dalë tashmë boja, një formë e fshehur e tyre është shtetëzimi i ekonomisë përmes disa shërbimeve që po merren nga shteti.






