Policia spanjolle ka sekuestruar rreth 10 tonë kokainë në dy magazina në Aguilas të Murcias, pas një aksidenti me pirun ngritës më 30 tetor.
Policia spanjolle ka sekuestruar një sasi rekord kokaine, vlerësuar në rreth 10 tonë, e zbuluar në dy magazina në zonën industriale El Labradorcico në Aguilas të Murcias.
Zbulimi ndodhi pas një incidenti më 30 tetor, kur një punëtor rrëzoi një paletë mallrash gjatë zhvendosjes me pirun ngritës. Drejtuesi i mjetit u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke e lënë motorin ndezur, ndërsa policia që mbërriti për aksidentin zbuloi brenda kutive blloqe kokaine të presuara dhe të mbështjella me neopren.
Kontrollet e menjëhershme të Gardës Civile çuan në inspektimin e dy ambienteve që shërbenin si depo e përkohshme (Guarderias), ku në secilën u gjetën mbi 5 tonë lëndë narkotike.
Sipas autoriteteve dhe mediave spanjolle, pas kësaj ngarkese masive dyshohet se qëndron një organizatë e fuqishme kriminale me origjinë shqiptare. Magazinat përdoreshin për grumbullimin e drogës përpara se ajo të shpërndahej me rrugë tokësore drejt blerësve në Spanjë dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.
Pavarësisht përmasave të sekuestrimit, i cili konsiderohet ndër më të mëdhenjtë në historinë e Spanjës, deri më tani nuk është kryer asnjë arrestim pasi personat përgjegjës u larguan përpara se të mbërrinte policia.
Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave që kishin marrë me qira magazinat dhe po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë të instaluara brenda tyre, ndërsa mbetet ende e paqartë origjina e ngarkesës dhe rruga e ndjekur për hyrjen e saj në territorin spanjoll.