Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën thirrje qytetarëve të shmangin konsumin e disa loteve të pudingut proteinik Arla me origjinë nga Danimarka, pasi në produkt janë gjetur copëza xhami.
Një alarm kritik për sigurinë ushqimore ka vënë në veprim Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.
Pas sinjalizimit urgjent nga rrjeti europian RASFF, AKU u bën thirrje qytetarëve të shmangin konsumin e disa loteve të pudingut proteinik „Arla“ me origjinë nga Danimarka.
Sipas njoftimit zyrtar, në këtë produkt janë zbuluar copëza xhami, çka përbën një rrezik serioz për jetën e konsumatorëve.
Të dhënat zyrtare konfirmojnë se në tregun shqiptar kanë hyrë rreth 3 ton nga ky produkt i rrezikshëm.
Prania e xhamit u zbulua pas ankesave të vetë konsumatorëve në Danimarkë, gjë që aktivizoi mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë.
Nëse jeni përdorues të këtyre produkteve, të cilat frekuentohen kryesisht nga sportistët dhe të rinjtë, ndaloni menjëherë konsumin nëse kanë numrin e lotit (Batch) dhe datën e skadencës si në këtë listë:
Arla Protein Pudding (Çokollatë) – Batch: ES26244001 | Skadenca: 07.04.2027
Arla Protein Pudding (Karamel) – Batch: ES26272001 | Skadenca: 26.04.2027
Arla Protein Pudding (Karamel) – Batch: ES26287001 | Skadenca: 08.05.2027
Ndërkohë, një lot tjetër i këtij produkti po mbahet në vëzhgim, por verifikimet e para tregojnë se nuk ka hyrë në Shqipëri.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal, pasi prania e copëzave të xhamit në produkt mund të shkaktojë trauma të rënda të brendshme dhe dëmtime të sistemit tretës.
Konsumatorët duhet t'i kthejnë këto produkte pranë pikave ku i kanë blerë, ndërsa bizneset janë urdhëruar t'i tërheqin menjëherë nga raftet.