Një person i maskuar dhe i armatosur ka grabitur rreth 60 mijë euro nga një bankë në zonën e Komunës së Parisit në vetëm tre minuta.
Vetëm tre minuta iu deshën autorit të maskuar dhe të armatosur për të zbrazur arkën e një banke të nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit në paraditen e kësaj të hëne.
Bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë të bankës, të cilat janë tashmë në dorë të hetuesve, është krijuar bindja se autori ende i pa identifikuar e ka njohur mirë planimetrinë e bankës dhe mënyrën e funksionimit të saj.
Sapo hyri në ambientet e bankës i maskuar me skafandër dhe me pistoletë në dorë, ai kërcënoi rojën duke e izoluar në pjesën fundore të bankës, më pas kapërceu banakun e arkës dhe mori prej andej gjithçka që gjen në sirtar.
Sipas bankës, autori ka mundur të marrë rreth 60 mijë euro. Më pas, pa u shqetësuar dhe pa lënduar askënd, ai u largua nga zona me një monopatinë.
Policia e Tiranës ka ngritur një grup hetimor për rastin dhe po punon në disa drejtime për identifikimin dhe arrestimin e këtij grabitësi.