Glidona Daci po raportonte drejtpërdrejt nga protestat kundër qeverisë në Shqipëri, kur policia e spërkati me gaz lotsjellës.
Në raportimin e saj për Klan News, Daci dëgjohet duke iu drejtuar punonjësve të policisë: „Kamera është live, mos e prekni operatorin dhe mos më spërkatni me gaz lotsjellës“.
E shtyrë nga policia, Daci tha se punonjësit e policisë i shpërfillën kundërshtimet e saj.
„Ai më spërkati më pas drejtpërdrejt me gaz lotsjellës, duke më goditur në një pjesë të fytyrës, si dhe spërkati objektivin e kamerës dhe kameramanin, duke i hedhur gaz në sy“, tha ajo për BIRN. „Në atë moment nuk po kryeja asnjë shkelje dhe nuk kishte absolutisht asnjë arsye për të më shtyrë, pasi nuk ishte vendosur asnjë kordon sigurie“.
Që kur protestat kundër qeverisë u përshkallëzuan në protesta të dhunshme më 13 tetor, organizatat e gazetarëve dhe të të drejtave të medias kanë dokumentuar rreth 50 incidente dhune verbale ose fizike ndaj gazetarëve që përpiqeshin të raportonin për ngjarjet, pavarësisht se ata identifikoheshin qartësisht si përfaqësues të medias.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, incidentet kanë përfshirë dhunë fizike, kërcënime, pengim të raportimit, dëmtim të pajisjeve dhe abuzim verbal ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias. Në 41 raste, ose rreth 80 për qind të tyre, autorët kanë qenë pjesëtarë të Policisë së Shtetit. Rastet e tjera kanë përfshirë protestuesit.
„Gazetarët jo thjesht janë shpërfillur nga Policia e Shtetit; ata janë penguar, kërcënuar, shtyrë dhe goditur me sende të forta, plumba gome dhe spraj“, tha kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj.
„Në disa raste, punonjësit e policisë kanë ndërmarrë veprime edhe ndaj gazetarëve që identifikoheshin qartësisht si përfaqësues të medias“.
Edhe organizata Reporterët pa Kufij reagoi më 20 tetor, duke deklaruar se vetëm gjatë javës paraardhëse të paktën 12 gazetarë dhe punonjës të medias ishin sulmuar fizikisht gjatë raportimit nga protestat, në shumicën e rasteve nga policia.
Organizata, e cila e rendit Shqipërinë në vendin e 83-të mes 180 vendeve dhe territoreve në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, bëri thirrje për „vendosjen e sanksioneve ndaj përgjegjësve, zbatimin e masave ekzistuese për mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve si dhe kërkoi që parlamenti të mbajë autoritetet përgjegjëse për mënyrën se si kanë reaguar“.
Agjencia e lajmeve Reuters deklaroi se dy prej gazetarëve të saj ishin goditur nga plumba gome, „duke u lënë shenja të rrumbullakëta në trup“.
Myzyraj tha se policia ka „një detyrim që shkon përtej thjesht përmbajtjes nga përdorimi i dhunës ndaj gazetarëve. Ajo ka një detyrim pozitiv për t'i mbrojtur ata dhe për të garantuar që ata të mund të raportojnë lirisht“.
Protestat paqësore përshkallëzohen në dhunë
Protestat kundër qeverisjes nisën në fund të muajit maj, fillimisht në kundërshtim të një projekti të propozuar për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në një zonë të mbrojtur mjedisore në bregdet, projekt ky i lidhur me Jared Kushner-in, dhëndrin e Donald Trump-it.
Pas disa muajsh protestash paqësore, situata u përshkallëzua në dhunë në mesin e muajit tetor, kur nisën përplasjet e përditshme mes policisë dhe protestuesve të rinj, të cilët kërkonin dorëheqjen e qeverisë për shkak të akuzave për korrupsion dhe keqmenaxhim ekonomik. Qeveria ka refuzuar vazhdimisht të japë dorëheqjen.
Më 18 tetor, Julian Hoxhaj, redaktor i lajmeve në televizionin Syri, tentoi të filmonte personat që, sipas tij, po pengonin gazetarët e tjerë të kryenin punën e tyre. Në atë moment, policia u përqendrua tek ai. Hoxhaj tha se u godit në këmbë dhe u largua me forcë nga vendi ku po zhvillohej protesta nga rreth 12 punonjës policie.






