Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mund të jetë më i prirur të miratojë një operacion ushtarak në shkallë të gjerë kundër Iranit nëse republikanët pësojnë rezultat të dobët në zgjedhjet e mesmandatit javën e ardhshme, sipas një raportimi.
„Nëse ai ndihet i turpëruar ose i lënë mënjanë, do të bëjë diçka të guximshme“, i ka thënë një zyrtar amerikan Axios-it, duke shtuar se ky është mesazhi që po u përcillet zyrtarëve iranianë, të cilëve u thuhet se mundësia më e mirë për të arritur një marrëveshje është tani.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e hodhi poshtë këtë ide, duke i thënë medias se rezultatet e zgjedhjeve nuk do të ndikojnë në vendimet e Trumpit lidhur me Iranin.
Sipas raportimit, ndërmjetësit nga Katari kaluan më shumë se 12 orë të premten në Teheran, duke mbajtur kontakte të rregullta me Shtëpinë e Bardhë, në përpjekje për të rifilluar bisedimet e drejtpërdrejta mes Washingtonit dhe Teheranit. Një burim diplomatik e përshkroi ecurinë si „pozitive“, ndërsa diskutimet pritet të vazhdojnë të shtunën në Doha.
Sipas një zyrtari amerikan, bisedimet kanë ngecur për shkak të kërkesave të kundërta. Washingtoni kërkon lëshime në çështjen bërthamore si kusht për rikthimin në negociata, ndërsa Teherani këmbëngul që SHBA-ja fillimisht të heqë bllokadën detare, të lirojë fondet e ngrira dhe të lejojë shitjen e naftës.






