Kalo te përmbajtja kryesore

Banka e Shqipërisë: Ndryshimet në TVSH mund të ndikojnë në çmimet e konsumit

Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, paralajmëron se masat fiskale të planifikuara për 2027 mund të ndikojnë në inflacionin dhe çmimet e konsumit, në varësi të shkallës së transmetimit në tregun.

Nga Redaksia

· 2 min lexim

Shpërndaje
Banka e Shqipërisë: Ndryshimet në TVSH mund të ndikojnë në çmimet e konsumit

Në fjalën e saj në Komisionin për Ekonominë, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, u ndalur te ndikimi i pritur i ndryshimeve në politikën fiskale mbi dinamikën e çmimeve dhe inflacionin. Në paraqitjen e saj për projektbuxhetin 2027, ajo theksoi se masat e marra për uljen e disa taksave mund të kontribuojnë në zbutjen e presioneve inflacioniste, ndërsa rritja e taksave të tjera mund të prodhojë efekt të kundërt. Sipas saj, rezultati përfundimtar do të varet nga shkalla në të cilën këto ndryshime do të reflektohen në çmimet e konsumit.

Ulja e TVSH-së për disa ushqime bazë dhe zvogëlimi i normës së taksimit të karburanteve pritet të ushtrojnë ndikim në drejtim zbritës mbi çmimet, ndërkohë që rritja e përgjithshme e TVSH-së dhe zvogëlimi i pragut të xhiros për përfshirjen e bizneseve në skemën e TVSH-së mund të kenë ndikim në drejtim të kundërt.

Në përgjithësi, vlerësohet se ndikimi neto i tyre do të varet nga pesha dhe shkala e transmetimit në çmimet përfundimtare të konsumit. Po ashtu, theksohet se ndikimi i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të taksave në inflacion ka karakter të përkohshëm.

Megjithatë, efekte më të qëndrueshme mund të shfaqen nëse këto ndryshime ndikojnë pritjet për inflacionin, kërkesat për paga ose sjelljen e bizneseve në përcaktimin e çmimeve, tha Ahmetaj.

Burimi: Lajmi i Fundit

Shpërndaje

Lajme të ngjashme