Ginekologia Xheni Omeri vlerëson se bonusi mujor për bebet është një ndihmë e mirë ekonomike, por nuk mjafton për të përmbysur rënien e lindshmërisë pa politika afatgjata që mbështesin gratë dhe lehtësojnë kostot e jetesës.
Bonusi mujor për bebet konsiderohet një ndihmë ekonomike për çiftet e reja dhe një stimul për rritjen e lindshmërisë në Shqipëri. Ginekologia Xheni Omeri, e ftuar në „Ora News“, vlerëson se mbështetja financiare mund të ketë ndikim pozitiv, por nuk është e mjaftueshme për të ndryshuar trendin e rënies së lindjeve.
Sipas Omerit, krahas bonusit nevojiten politika afatgjata që zvogëlojnë kostot e jetesës, mbështesin gratë gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, garantojnë mbrojtjen e vendit të punës dhe përmirësojnë kushtet në çerdhe. Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e shërbimeve shëndetësore të cilësisë së lartë dhe përballueshmërisë së kontrolleve dhe analizave gjatë shtatzënisë.
„Bonusi është një gjë e mirë, por duhet një zinxhir hallkash që fillon nga shërbimet shëndetësore, vazhdon me statusin e gruas në punë dhe përfundon me mbështetjen ekonomike për rritjen e fëmijës,“ përfundon ajo.
Xheni Omeri: E kur ne flasim për të gjithë ato faktorë që ndikojnë në uljen e lindshmërisë, apo që e bëjnë një çift të mendohet dy herë a do ta sjellë në jetë një fëmijë apo jo, patjetër janë edhe mundësitë ekonomike. Dhe këtu një bonus patjetër ka atë impaktin e vet pozitiv dhe motivues. Sepse sado pak është një ndihmë për një çift, qoftë kur e ka fëmijën e parë, apo kur bonusi rritet mos gabohem sipas paketës deri në 5 vjet, për fëmijën e dytë apo të tretë, sidomos kur është në impaktin më afatgjatë. Sepse deri para ca kohësh ka qenë që jepej vetëm në momentin e lindjes, pra një vlerë e caktuar, ndërsa kur e ke deri në 5 vjet është një lloj ndihme që për ato pak gjëra të mundëson të heqësh një lloj barre nga aspekti financiar dhe ekonomik të kostos që ka rritja e një fëmije sot.
Po, ka ardhur në rënie dhe ne si popullsi nuk po arrijmë dot të riprodhojmë veten tonë, pra e kemi më pak se 2.1 për grua. Por është një faktor pozitiv në aspektin e motivimit të të sjellurit në jetë një fëmijë. Sepse për një çift të ri, patjetër që pamundësia ekonomike, kostoja e lartë e jetesës, mundësia apo jo për të blerë një shtëpi apo qiraja e shtrenjtë, të gjitha këto janë faktorë që e frenojnë një familje të re për të shtuar ose për të sjellë në jetë fëmijën e parë. Kështu që kur është në aspektin afatgjatë, pra për 5 vite që ti e merr diçka të vogël për këtë fëmijë, mendoj që do të ketë një impakt pozitiv. Dhe do e preki sado pak këtë koeficient të lindshmërisë. Por a është i mjaftueshëm? A mjafton? Jo, mendoj që nuk mjafton.
Po flasim teorikisht, por mendoj që duhen dhe politika të tjera afatgjata. Për shembull siç do ishte ajo ulja e emigracionit të të rinjve, sepse në radhë të parë ne po e shikojmë që mosha e re po na ikën, qoftë për studime, qoftë kur kanë mbaruar fakultetin këtu dhe shkojnë për të punuar dhe për të jetuar jashtë. Pra duhet të punojmë dhe me faktorë të tjerë që të rrisim lindshmërinë. Pra një është të mbajmë moshën riprodhuese këtu, e para, duke ndryshuar mundësitë e punësimit, duke ndihmuar në përballimin e kostos së jetesës, e cila sa vjen e në Shqipëri, e në Tiranë është bërë si një metropol i një qyteti evropian tashmë, qoftë tek qiraja, qoftë tek ajo shporta bazike e ushqimeve të përditshme.
Nëse do prekim dhe aty patjetër që do e ndihmonte një çift të ri. Pastaj kemi rolin e gruas, ku vjen puna që ne sot e kemi një grua që punon. A ka mundësi kjo grua të mbështetet në lejen e lindjes? A ka mundësi kjo grua që puna të mos i rrezikohet nëse ka një shtatzëni të rriskuar që i duhet të regjim apo të qëndrojë në kushte spitalore? Sepse zakonisht, ose në strukturat private për shembull, atë që dëgjoj në përditshmërinë time dhe nga pacientët, thonë që në momentin që shkëputesh zëre se e humbet vendin e punës. Pra nuk është se mbështetesh, dikush tjetër do të zëvendësojë dhe është e vështirë që ti të rikthehesh apo ta kesh të ruajtur vendin. Pastaj është pjesa e pas lindjes. Si janë çerdhet, sa qetësi i jep gruas kjo që të rikthehet sa më shpejt në punë, ose që ta çojë fëmijën e saj.
Po patjetër, sepse kanë pasur presion ekonomik për të ruajtur vendin e punës ose për motive ekonomike. Por ti duhet të mendosh ku do ta lësh fëmijën. Pra jo të gjithë e kemi mundësinë t'ia lëmë gjyshit dhe gjyshes, apo të marrim një dado në shtëpi. Pra do mendosh në radhë të parë për çerdhen: si janë kushtet, si është edukatorja, si është cilësia e ushqimit, kujdesit, që të më japë një lloj qetësie psikologjike. A po, se çerdhen këtu te lagjja e kam shumë të mirë, e kam shumë afër me shtëpinë. Pra të gjitha këto janë faktorë që shteti mund të ndërhyjë për të ndihmuar një grua që të sjellë në jetë fëmijën e parë, apo ta motivojë për të sjellë në jetë fëmijën e dytë e të tretë. Ashtu është në fakt. Prandaj dhe po t'i shikosh shqiptarët që ikin jashtë shtetit në përgjithësi krijojnë familje, bëjnë dy fëmijë dhe janë edhe më të qetë në aspektin psikologjik sepse kanë një lloj sigurie nga shteti. Pra të çerdhes, të shkollës, të atij bonusit ekonomik që e di që sado të fitojë, e sigurta e ka diçka nga shteti, pra nuk e lë që të vdesë për bukë në sensin bazik.
Sepse nëse ti nuk ke një të ardhur të sigurt apo një punë të sigurt, jetesa në Tiranë është bërë e vështirë. Është e vërtetë. Që prek që nga momenti i planifikimit, edukimit, shëndetit riprodhues, parandalimit të problemeve si infertiliteti. Për hapësirat mjekësore, pra kur ajo mund t'i drejtohet shërbimeve gjinekologjike ose fertilizimit in vitro, që në fakt tashmë ofrohet dhe si shërbim shtetëror në maternitetin 'Koço Gliozheni'. Pra janë një sërë hallkash që fillojnë që me shërbimet shëndetësore, me statusin e gruas në punë, dhe fillon pastaj me rritjen e bebit dhe mbështetjen ekonomike siç është bonusi. Është gjë e mirë, ndryshe nga sa mund të ketë qenë më parë ku ishte një 50 mijë lekësh.
Vetëm për pampersat e muajit të parë, dhe jo afatgjatë 9 muaj janë të bukur, por duan një mbështetje gjinekologjike cilësore. Fillon tek poliklinika e lagjes; jo të gjithë e zgjedhin këtë shërbim shtetëror për arsye kohe apo të punës. Një eko rutinë mund ta bësh në poliklinikë, por për analizat specifike ndryshon puna. Për shembull, grupi i infeksioneve si toksoplazma, rubela, citomegalovirusi, hepatiti B/C, sifilizi, HIV - a ofrohen të gjitha në laboratorët shtetërorë me lehtësi? Dëgjoj nga pacientet që shkojnë në Institutin e Shëndetit Publik, por shpesh përfundojnë në privat. Kjo është një kosto e shtuar e konsiderueshme për çiftet.