Projektbuxheti i vitit 2027, në vlerën e 976 miliardë lekëve, fillon të shqyrtohet në komisionet parlamentare.
Sot kanë filluar në komisionet parlamentare shqyrtimet e projektbuxhetit të vitit 2027, i cili do të arrijë në vlerën e 976 miliardë lekësh, ose rreth 10.7 miliardë eurosh. Në Komisionin e Burimeve Natyrore, ku zëvendësministri i Financave Andi Mehmeti paraqiti fondet e planifikuara për bujqësinë, infrastrukturën dhe mbrojtjen, opozita nuk mori pjesë.
Për bujqësinë në buxhetin 2027 janë planifikuar 17.9 miliardë lekë, ose 1.1 miliardë lekë më shumë se në buxhetin e këtij viti. Nga këto, 5.3 miliardë lekë do të destinohen për mbështetjen e fermerëve, ndërsa 3 miliardë lekë për kompensimin e TVSH-së në masën 10%.
Sipas zëvendësministrit, qëllimi i kësaj shpërndarjeje është që nga këto fonde të përfitojnë më shumë fermerë.
„Buxheti për bujqësinë parashikohet të arrijë në 17.9 miliardë lekë, me rritje prej 1.1 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin fillestar të këtij viti. Përmes politikave që do të zbatojmë, synojmë rritje të numrit të përfituesve“, deklaroi ai.
Sa i përket infrastrukturës, nga buxheti janë planifikuar 75.4 miliardë lekë, shumë e cila do të përdoret për investime në ujësjellës, portin e ri në Porto Romano dhe Triportin, si dhe për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës dhe rehabilitimin e rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa.
„Infrastruktura do të marrë 75.4 miliardë lekë. Investime në ujësjellës, portin e ri të Durrësit, portin e Triportit, zgjerimin e Tiranë-Durrës dhe rehabilitimin e Tiranë-Ndroq-Plepa“, theksoi Mehmeti.