Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim të dhunës ndaj protestuesve në tubimin e sotëm në Tiranë dhe kërkoi hetim për të lënduarit dhe identifikimin e punonjësve të përfshirë.
Në Tiranë, më 24 tetor, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi efektivët e Policisë së Shtetit se përdorën dhunë ndaj protestuesve gjatë tubimit të sotëm, ndërsa kërkoi nga Prokuroria hetimin e të lënduarve dhe identifikimin e policëve të përfshirë në ngjarje.
Në një konferencë për mediet, Berisha theksoi se gjatë protestës u përdorën armë në kundërshtim me rregullat dhe se disa protestues pësuan dëmtime të rënda.
Berisha deklaroi se një protestues, Erjon Vishkurti, ka humbur njërin sy, ndërsa të tjerë janë lënduar në sy, në zonën e vetullës dhe në abdomen.
Ai përmendi edhe rastin e 40-vjeçarit Lorenco Bezani, për të cilin tha se është goditur në kokë dhe në trup.
Kreu i PD-së shtoi se dhjetëra persona janë shoqëruar në komisariate në mënyrë të paligjshme dhe ngrit akuza edhe për sjelljen e disa efektivëve ndaj personave të shoqëruar.
„Erjon Vishkurti humbi syrin. I diplomuar në gazetari, ndërkohë që në mënyrë absolute nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm ndaj askujt. Në sy u plagos një protestuese paqësore tjetër; mbi vetull u godit me plumb një protestues tjetër; në abdomen me plumb, që duhet heq në operacion. Akte barbare. 40-vjeçari Lorenco Bezani u shkelmua barbarisht në kokë e trupi në kënd, pa asnjë akt, nuk kryente asnjë akt dhune. Dhjetëra e dhjetëra të tjerë janë torturuar, terrorizuar dhe janë marrë përdhunisht në komisariate, njerëz që s'kanë pasë asnjë lidhje me protestën“, tha Berisha.
Berisha vlerësoi pjesëmarrjen e studentëve dhe qytetarëve në protestë, duke e cilësuar atë si një përballje që zgjati nëntë orë.
„Unë kam një mirënjohje të pakufishme ndaj studentëve dhe guximit, trimërisë së tyre. Dua të falënderoj përzemërsisht ata mijëra qytetarë të Tiranës, që sot u shkrinë në një, me vajzat dhe djemtë e tyre dhe të shqiptarëve“, u shpreh ai.
Kreu i opozitës falënderoi gjithashtu sindikatat e arsimit, Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, përfaqësues të profesioneve të ndryshme, minatorë, intelektualë, drejtues dhe mbështetës të Partisë Demokratike, të cilët iu bashkuan protestës.
Ai dënoi edhe incidentet ndaj gazetarëve, duke theksuar se reporterit Klevin Muka i është hedhur lëndë djegëse, ndërsa një reporter amerikan është shoqëruar në komisariat.
„Dënoj sulmet ndaj gazetarëve. I kanë hedhur lëndë djegëse Klevin Mukës. Një reporter amerikan e kanë marrë në rajon“, tha Berisha.
Berisha i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë veprimet e punonjësve të policisë dhe të sigurojë provat që lidhen me ndërhyrjen e forcave të rendit gjatë protestës.
„I bëj thirrje prokurorit, të vërë para ligjit këta punonjës që sillen si kafshë ndaj studentëve dhe qytetarëve. Të sekuestrojë menjëherë planin e përhapjes të Forcave të Rendit. Të identifikojë vrasësit me pagesë 2500 euro që u marrin nishan në syrin apo në ballin, apo në gjoksin e protestuesve paqësorë“, deklaroi ai.
Kryetari i PD-së shprehu mirënjohje për mbështetjen që u është dhënë protestuesve nga përfaqësues në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Parlamentin Evropian, Këshillin e Evropës dhe Bundestag.