Mark Antony Samson u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e studentes shqiptare Ilaria Sulës në mars 2025 në Romë.
Pas shpalljes së vendimit të dënimit me burg përjetë për Mark Samson, 24-vjeçarin që vrau studenten shqiptare Ilaria Sula, nëna e saj ka dhënë një mesazh për mediat italiane.
Ndër lotë e ngashërime, Gëzime Sula shprehet se djemtë duhet t'i respektojnë dhe t'i duan vajzat. Më pas, shpreson se dënimin e autorit do ta ketë qetësuar shpirtin e së bijës.
„Duhet t'i respektojnë vajzat. Duhet t'i respektojnë, duhet t'i duan, t'u japin dashuri. Mendoj se vajza ime meriton të jetë në paqe“, thotë ajo.
Ngjarja që tronditi Italinë: Ilaria Sula, 22-vjeçarja me origjinë shqiptare, u vra në mars të vitit 2025 në Romë nga ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson, një ngjarje që shkaktoi tronditje dhe reagime të shumta në Itali.
E lindur në Terni, Ilaria ishte studente në Universitetin La Sapienza të Romës dhe jetonte në lagjen San Lorenzo. Ajo kishte vendosur t'i jepte fund lidhjes me Samson, por ky i fundit, sipas hetimeve, nuk e kishte pranuar ndarjen.
Në fund të marsit 2025, e reja shkoi në banesën e ish-partnerit për t'i kthyer disa sende personale. Ajo qëndroi gjatë natës në apartamentin e tij, në rrugën Via Homs të kryeqytetit italian. Të nesërmen, Samson e sulmoi me thikë, duke i shkaktuar plagë fatale.
Pas krimit, ai e futi trupin e 22-vjeçares në një valixhe dhe e transportoi me makinë drejt një zone malore, rreth 40 kilometra larg Romës, ku e hodhi në një greminë pranë Capranica Prenestina.
Ndërkohë, familjarët e Ilaria Sulës, të shqetësuar për zhdukjen e saj, denoncuan rastin në polici. Për disa ditë, autoritetet italiane zhvilluan kërkime intensive, derisa më 2 prill 2025 trupi i së resë u gjet në vendin ku ishte braktisur.
Gjatë hetimeve u zbulua se Samson kishte tentuar të fshihte gjurmët e krimit. Në këtë përpjekje ishte përfshirë edhe nëna e tij, e cila ndihmoi në pastrimin e banesës pas vrasjes. Ajo u dënua me dy vite burg pas një marrëveshjeje me drejtësinë italiane.
Samson e pranoi autorësinë e vrasjes, por pretendoi se kishte vepruar në një moment zemërimi, pasi kishte parë mesazhe të një djali tjetër në telefonin e Ilarisë.
Megjithatë, prokuroria italiane arriti në përfundimin se krimi ishte i paramenduar. Mes provave të administruara ishin edhe mesazhet që Samson i kishte dërguar një miku, ku kërcënonte se do ta vriste Ilarian nëse ajo nuk kthehej me të.
Më 27 tetor 2026, Gjykata e Krimeve të Rënda në Romë e dënoi Mark Antony Samson me burgim të përjetshëm, duke pranuar akuzën se vrasja ishte kryer me paramendim.
Vendimi u prit me emocione nga prindërit e viktimës, Flamur dhe Gëzime Sula, të cilët kishin ndjekur nga afër procesin gjyqësor. Babai i Ilarisë deklaroi se drejtësia ishte vendosur, por se dënimin e vërtetë të përjetshëm do ta vuanin ai dhe bashkëshortja e tij, pasi vajza e tyre nuk do të kthehej më.