Belinda Balluku u njoftua në SPAK për mbylljen e hetimeve dhe do të përballet në procesin gjyqësor pa asnjë masë sigurie.
Belinda Balluku u paraqit këtë të mërkurë në Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ku u njoftua për përfundimin e hetimeve të dosjes penale në ngarkim të saj. Së shpejti çështja për ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ish-zv.kryeministren Balluku do të kalojë në Gjykatën e Posaçme, GJKKO.
Ndërkohë, siç raporton gazetari Arsen Rusta, Balluku do të përballet në procesin gjyqësor pa asnjë masë sigurie.
Paçka se SPAK kishte kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit për deputeten e PS-së, më 12 mars 2026 mazhoranca socialiste votoi me 82 vota kundër heqjes së imunitetit për Ballukun.
Mbi ish-zv.kryeministren rëndojnë 5 akuza specifike: „shkelje e barazisë në tendera“ (në 9 raste), dy raste „korrupsion pasiv“, „pastrim parash“ (për dy pasuri), dhe „fshehje e pasurisë“ (në dy raste).
Hetimet përfshijnë abuzime me projektet e Tunelit të Llogarasë, Unazës së Madhe dhe një tenderi tek Albcontrol. Së bashku me Ballukun, sot në SPAK u paraqit edhe biznesmeni Pandeli Carapuli për t'u njoftuar me përfundimin e hetimeve. Ai akuzohet zyrtarisht për „pastrim parash“.
Në të njëjtën dosje të përfunduar nga SPAK, si person i përfshirë dhe i marrë i pandehur rezulton gjithashtu edhe ish-futbollisti Igli Tare dhe biznesmeni Arbër Abazi.