Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka refuzuar të shqyrtojë ankimin e dytë të Ervin Matës kundër ekstradimit drejt Shqipërisë, duke mbyllur një fazë të kundërshtimeve gjyqësore.
Trupi i parë i Gjykatës Supreme Federale të Brazilit ka refuzuar shqyrtimin e ankimit të dytë të Ervin Matës kundër ekstradimit drejt Shqipërisë, duke përfunduar një tjetër etapë të procesit gjyqësor.
Vendimi u miratua më 20 tetor 2026 në mënyrë unanime, me relator ministrin Alexandre de Moraes. Dokumenti është siguruar nga Euronews Albania përmes gazetarit Thimi Samarxhiu.
Në arsyetimin e saj, gjykata vlerëson se mbrojtja nuk ka paraqitur argumente të mjaftueshme për të kundërshtuar vendimin e mëparshëm. Avokatët e Matës kishin ngritur pretendime lidhur me kërkesën për azil në Brazil, një hetim policor në atë shtet, si dhe me kompetencën juridiksionale të autoriteteve shqiptare.
Përmes këtij vendimi, gjykata urdhëroi që vendimi të certifikohet si i formës së prerë, pa pritur publikimin e tij.
Më parë, Gjykata Supreme Federale kishte miratuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Ervin Matës. Megjithatë, vendimi përfundimtar për dorëzimin e tij nuk varet vetëm nga procedura gjyqësore, pasi kërkohet edhe vlerësimi i Presidentit të Brazilit, si dhe formalizimi nga pala shqiptare i angazhimeve të parashikuara në legjislacionin brazilian.
Vendimi i 20 tetorit shënon përfundimin e fazës së kundërshtimeve gjyqësore të trajtuara deri më tani, por ekstradimi i Matës drejt Shqipërisë mbetet i varur nga përmbushja e procedurave të tjera të kërkuara nga autoritetet braziliane.