Një zyrtar i lartë i policisë serbe është ndaluar nën dyshimet për shpërdorim detyre, në kuadër të një hetimi të lidhur me një çështje vrasjeje.
Bëhet fjalë për Marko Kriçakun, 42 vjeç, drejtor i Drejtorisë së Hetimeve Kriminale të Policisë Serbe, i cili është përshkruar si një nga njerëzit e afërt me presidentin Aleksandër Vuçiç.
Bashkë me të është ndaluar edhe Boško Sekulović, drejtor i Shërbimit për Luftën kundër Krimit në të njëjtën drejtori. Sipas Prokurorisë së Beogradit, dy zyrtarët dyshohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të detyrimeve profesionale, duke shkaktuar dëme dhe duke cenuar rëndë të drejtat e ish-shefit të policisë së Beogradit, Veselin Milić.
Hetimi lidhet me një vrasje të ndodhur në maj në një restorant në Beograd. Pas ngjarjes, Milić ishte ndaluar me dyshimin për mosraportim të një krimi dhe për strehimin e autorit të tij. Pas afro dy muajsh në paraburgim, ish-zyrtari i policisë nguli padi ndaj Kriçakut dhe Sekulovićit, duke i akuzuar se kishin paraqitur në prokurori prova selektive, të paplota dhe të falsifikuara kundër tij.






