Kalo te përmbajtja kryesore

Ndryshon ligji për turizmin: qiratë ditore regjistrohen në e-Albania, rregulla të reja për agjencitë dhe vrojtuesit e plazheve

Projektligji i ri për turizmin parashikon regjistrimin e detyrueshëm të apartamenteve të dhëna me qira ditore në portalin e-Albania, me kod unik për çdo njësi, si dhe rregulla të reja për agjencitë turistike dhe aksesin në plazhe.

Nga Redaksia

· 2 min lexim

Shpërndaje
Ndryshon ligji për turizmin: qiratë ditore regjistrohen në e-Albania, rregulla të reja për agjencitë dhe vrojtuesit e plazheve

Pikat kryesore

  • Apartamentet e dhëna me qira ditore përmes platformave online duhet të regjistrohen në portalin e-Albania dhe të pajisen me kod unik.
  • Për shkeljet e rregullave parashikohen gjoba deri në 400 mijë lekë, ndërsa mungesa e vrojtuesit të plazhit dënohet me 200 mijë lekë.
  • Subjektet që administrojnë plazhet duhet të garantojnë aksesin e lirë të publikut drejt detit pa gardhe ose barriera.

Shtëpia juaj mund të kthehet në biznes turistik, por jo më pa rregulla. Kushdo që jep apartamentin me qira për disa ditë përmes Airbnb, Booking ose drejtpërdrejt do të duhet ta regjistrojë atë në e-Albania dhe të pajiset me një kod unik. Projektligji i ri për turizmin synon të vendosë nën kontroll një treg që po rritet me shpejtësi.

Ligji parashikon regjistrimin e detyrueshëm të apartamenteve që jepen me ditë, gjoba për subjektet që shkelin rregullat në plazhe si dhe detyrime të reja për operatorët turistikë.

Në fokus janë edhe apartamentet e publikuara në platforma si Airbnb ose Booking. Çdo njësi që jepet me pagesë për qëndrime afatshkurtra, qoftë apartament, vilë ose dhomë, do të duhet të regjistrohet në portalin e-Albania dhe të pajiset me një kod unik.

„Njësitë akomoduese për qëndrime afatshkurtra regjistrohen, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania dhe pajisen me kod unik regjistrimi.“

Ky kod do të jetë i detyrueshëm edhe në çdo reklamë ose ofertë të publikuar në platformat online. Me qëllim që shteti të identifikojë çdo njësi që ushtron këtë aktivitet dhe të ketë të dhëna më të sakta për tregun e akomodimit.

Projektligji për turizmin prek edhe agjencitë turistike për të cilat është parashikuar se çfarë ndodh nëse një subjekt i tillë falimenton. Shpenzimet e turistëve do të mbulohen nga një fond i posaçëm për të rimbursuar pagesat e shërbimeve të parealizuara. Ndonëse të gjitha subjektet turistike do të kenë si detyrim sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta. Një tjetër ndryshim në projektligjin për turizmin i cili është rihedhur për konsultim publik prek drejtpërdrejt pushuesit. Subjektet që administrojnë plazhet do të detyrohen të garantojnë kalimin e lirë drejt detit, pa gardhe ose barriera që pengojnë qytetarët.

„Subjekti që ushtron veprimtarinë stacion plazhi duhet të garantojë aksesin e lirë, të pandërprerë dhe lëvizjen e lirë të publikut drejt bregut të detit“.

Për shkeljet parashikohen gjoba deri në 400 mijë lekë, ndërsa mungesa e vrojtuesit të plazhit dënohet me 200 mijë lekë dhe në rast përsëritjeje me 400 mijë lekë. Projektligji është ende në fazën e konsultimit publik dhe parashikon një kuadër të ri detyrimesh për bizneset që operojnë në sektorin e turizmit.

Burimi: Lajmi i Fundit

Shpërndaje

Lajme të ngjashme