Një shkencëtarja e Universitetit të Kembrixhik, Dr. Marta Shahbazi, ndodhet ndër 69 viktima të tragjedisë hekurudhore në Spanjë, ku një tren me shpejtësi të lartë u përplas me një tren të ndaluar.
Një nga viktimat e tragjedisë së rëndë hekurudhore në Spanjë, ku humbën jetën të paktën 69 persona, është shkencëtarja e Universitetit të Kembrixhit, Dr. Marta Shahbazi. Vdekja e saj u konfirmua nga Instituti i Biologjisë Molekulare MRC, ku ajo drejton një grup kërkimor.
Shahbazi ishte në njërin prej trenave të përfshirë në përplasjen tragjike pranë Urda-s, në jug të Madridit. Instituti kishte konfirmuar më herët se shkencëtarja ndodhej në një prej trenave, por vendndodhja e saj mbetej e panjohur.
Instituti spanjoll CiMUS, në një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale, e përshkroi atë si një „studiuese të re brilante“, duke shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjen e saj. Marta Shahbazi ishte mbesa e María José Alonso, e cila punon në këtë institucion.
Shkencëtarja ishte specialiste në biologjinë qelizore dhe drejton laboratorin që mbante emrin e saj pranë Kampusit Biomjekësor të Universitetit të Kembrixhit. Ajo ishte gjithashtu profesoreshë e asociuar në kuadër të Institutit të Qelizave Staminale të këtij universiteti.
Kontributi i saj në studimin e zhvillimit të hershëm embrional te njerëzit ishte vlerësuar nga Shoqata Spanjolle e Biologjisë së Zhvillimit, e cila e kishte shpallur fituese të një çmimi për punën e saj shkencore. Çmimi pritej t'i dorëzohej gjatë një konference në El Rompido, në jugperëndim të Spanjës.
Marta Shahbazi kishte kryer doktoraturën në Qendrën Kombëtare Spanjolle të Kërkimeve për Kancerin, përpara se të bashkohej me Universitetin e Kembrixhit si kërkuese pas doktoraturës. Në vitin 2020, ajo iu bashkua Institutit të Biologjisë Molekulare MRC.
Aksidenti ndodhi kur një tren me shpejtësi të lartë i kompanisë shtetërore Renfe u përplas me pjesën e pasme të një treni të ndaluar, i cili operohej nga kompania Iryo. Në të dy trenat udhëtonin më shumë se 540 persona. Njëri prej tyre mbante 146 pasagjerë dhe një foshnjë, ndërsa në trenin tjetër ndodheshin 397 pasagjerë.
Tragjedia konsiderohet një nga aksidentet më të rënda hekurudhore në historinë moderne të Evropës dhe më e rënda në Spanjë që pas vitit 2013. Në shtetin spanjoll janë shpallur tri ditë zie kombëtare.