Një shtetas gjerman 47-vjeçar ka goditur me thikë dy policë në Malësinë e Madhe, pasi dyshohet se kishte hedhur benzinë në automjetin e një 27-vjeçari pranë pikës kufitare.
Një ngjarje e rëndë u regjistrua në Malësinë e Madhe, ku një shtetas gjerman goditi me thikë dy efektivë të Policisë gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 17:30, një 27-vjeçar denoncoi se gjatë udhëtimit me automjetin e tij nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi makinën, pranë një pike karburanti në afërsi të pikës së kalimit kufitar.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë ndërhyren dhe ndaluan automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.
Drejtuesi i tij, shtetas gjerman 47 vjeç, Jan-Friedrich Krebs, gjatë ndërhyrjes së policisë për neutralizimin e tij, goditi me thikë dy efektivë të Patrullës së Përgjithshme, të identifikuar si inspektorët S. B. dhe I. S.
Dy punonjësit e policisë u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, 47-vjeçari u neutralizua dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, ku po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vazhdon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Malësi e Madhe/Informacion paraprak
Rreth orës 17:30, në sallën operative të DVP Shkodër, shtetasi A. Q., 27 vjeç, njoftoi se gjatë udhëtimit me automjetin e tij, nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi automjet, në afërsi të një pike karburanti pranë pikës së kalimit kufitar.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë ndërhyren menjëherë dhe ndaluan automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.
Drejtuesi i këtij automjeti, shtetas gjerman J. K., 47 vjeç, refuzoi të identifikohet dhe, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, goditi me mjet prerës (thikë) dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S., të cilët u transportuan në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë neutralizuan dhe shoqëruan 47-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vazhdon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.