Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë larg arritjes së një marrëveshjeje për t'i dhënë fund konfliktit, sipas një zyrtar të lartë iranian.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë larg arritjes së një marrëveshjeje për t'i dhënë fund konfliktit.
Kështu deklaroi të martën për agjencinë Reuters një zyrtar i lartë iranian, pavarësisht përpjekjeve të shtuar diplomatike për të parandaluar një rikthim të mundshëm në konflikt aktiv pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA.
Gjatë natës, SHBA-ja kreu sulme „mbrojtëse“ në ishullin iranian Qeshm; një zyrtar amerikan bëri të ditur se sulmet kishin në shënjestër raketa tokë-ajër që përdoreshin kundër aseteve amerikane.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) njoftoi se gjatë natës kishte rrëzuar një dron amerikan të tipit MQ-9 në hapësirën ajrore mbi pjesën lindore të Ngushticës së Hormuzit.
„Ndërmjetësuesit po punojnë intensivisht për të ngushtuar hendekun mes Teheranit dhe Uashingtonit“, tha zyrtari i lartë iranian, pasi ndërmjetësues nga Katari mbërritën në Teheran të hënën në mbrëmje për bisedime mbi një version të projektmarrëveshjes SHBA-Iran, e cila ka qenë në fazë negocimi gjatë tetë ditëve të fundit.
„Kushtet e Teheranit duhet të përmbushen nëse SHBA-ja dëshiron rihapjen e Hormuzit“, paralajmëroi zyrtari iranian, duke shtuar se bisedimet bërthamore mund të nisin vetëm më pas dhe se Teherani nuk do t'i pranojë „kërkesat e tepruara“ të Uashingtonit.
Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Ghalibaf, deklaroi të martën se tani i takon SHBA-së të veprojë, pasi Teherani i ka dhënë Uashingtonit një „përgjigje të fortë dhe racionale“.
Zyrtari i lartë iranian i tha agjencisë Reuters se Teherani do të përgjigjet me forcë – si brenda rajonit ashtu edhe jashtë tij – ndaj sulmeve amerikane.
„Armiku kërkon ta detyrojë kombin iranian të dorëzohet përmes kërcënimeve dhe veprimeve ushtarake, por e kanë gabim; Irani nuk do të dorëzohet“, theksoi Ghalibaf të martën, duke shtuar se përgjigjja e Teheranit ndaj çdo llogaritjeje të gabuar nga ana e SHBA-së do të jetë e paparashikueshme dhe nuk do të kufizohet nga asnjë kufi gjeografik.
Presidenti amerikan Donald Trump shprehu të hënën dyshime nëse do ta realizonte kërcënimin për rifillimin e sulmeve ushtarake kundër Iranit pas zgjedhjeve të ndërmjetme të së martës, duke shtuar se, sipas tij, Teherani dëshiron të arrijë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur.