Kalo te përmbajtja kryesore

„Pasqyra e dështimit të qeverisë“ - Buxheti 2027, Bozdo: Taksa më të larta dhe më pak para për qytetarët

Deputeti i Partisë Demokratike Eno Bozdo kritikon projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2027, duke i cilësuar ato si dëshmi të dështimit të qeverisë në politikat ekonomike dhe sociale.

Nga Redaksia

· 6 min lexim

Shpërndaje
„Pasqyra e dështimit të qeverisë“ - Buxheti 2027, Bozdo: Taksa më të larta dhe më pak para për qytetarët

Pikat kryesore

  • Tatimi mbi dividendin rritet nga 8% në 15%, ndërsa TVSH-ja nga 20% në 21%, duke sjellë suficit rreth 85 milionë eurosh.
  • Bozdo kritikon financimin të pamjaftueshëm të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe sektorit industrial.
  • Deputeti thekson se qeveria nuk po realizon investimet e planifikuara dhe se megakorrupsioni ka ngecur ingranazhin qeverisës.

Deputeti i Partisë Demokratike Eno Bozdo ka kritikuar projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2027, duke i konsideruar ato si dëshmi të dështimit të qeverisë në politikat ekonomike dhe sociale.

Në një deklaratë të plotë për këto dy dokumente, Bozdo pretendon se qeveria ka zgjedhur të rrisë barrën fiskale për bizneset dhe qytetarët, ndërsa lë pa financim të mjaftueshëm sektorët kryesorë të ekonomisë dhe të shërbimeve publike.

Sipas tij, tatimi mbi dividendin parashikohet të rritet nga 8% në 15%, ndërsa TVSH-ja nga 20% në 21%. Bozdo thekson se këto ndryshime do të sjellin të ardhura shtesë për qeverinë, duke përmendur një suficit prej rreth 85 milionë eurosh.

Ai ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të përdoren këto para, duke argumentuar se qeveria nuk po arrin të realizojë as investimet e planifikuara.

Paketa fiskale dhe projektbuxheti janë dy dokumentat më të rëndësishëm politike dhe strategjike të qeverisjes, me të cilat vendosen prioritetet ekonomike dhe shoqerore, si dhe përmes të cilave qeveria planifikon t'u përgjigjet problemeve dhe sfidave të shoqërisë, shqetësimeve të shtresave shoqerore dhe grupeve të interesit.

Veçanërisht kur vendi është në krizën më të thellë shoqerore dhe ekonomike në 20 vitet e fundit.

Veçanërisht kur pakënaqësia është në kulm.

Veçanërisht kur nuk ka para të mjaftueshme për mjekëtë, për ilaçet, për pensionistët, për arsimtarët, kur biznesi bëhet bashkë, si asnjëherë tjetër, dhe kërkon ndërhyrje urgjente në ekonomi, që vetë ekonomia të mbijetojë dhe që paratë e shqiptarëve të mos përzihen me paratë e krimit në tulla e llac!

Sa për megakorrupsionin, me mirëkuptimin tuaj në faktin se nuk mund ta përmend, se megakorrupsioni, apo ndryshja grabitja e parave tona, nuk varet as nga paketa fiskale e as nga buxheti, por varet nga vullneti politik për ta luftuar dhe ndaluar atë!

24 orët e fundit provuan që kryeministri ka vullnet për gjithçka, edhe për të kërcënuar me jetë ish-delfinin e tij, por nuk ka vullnet aspak për të luftuar korrupsionin!

Por t'i kthehemi Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit 2027.

Ka dy mënyra për të gjykuar mbi këto dokumente. E para është ta shikosh atë sipas zerave, dhe të debatosh mbi çdo gjë teknikisht, qofte edhe me qellimin e mirë për të arritur në përfundime.

Por ka një mënyrë të dytë, shumë herë më të qartë dhe shumë herë më të dobishme për të gjykuar mbi këto dy dokumente:

Pyetja e parë është: a rriten taksat, mbeten në vend apo ulen? Pyetja e dytë është: ku shkojnë paratë? Këto dhe cilët sektorë apo prioritete financohen? A i japin zgjidhje, qofte edhe pjesërisht, shqetësimeve të mëdha të vendit, problemeve që has Shqipëria çdo ditë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të thjeshta. Por vërtësia e përgjigjeve qartëson gjithçka! Për të gjithë ata që na ndjekin, e vërteta është që taksat rriten. Dhe rriten ndjeshëm për biznesin dhe jo vetëm. Rritet tatimi i dividendit nga 8 në 15%. Taksat rriten edhe për konsumatorin. TVSH rritet nga 20% në 21%. Në total qeveria del me suficit rreth 85 milionë euro.

Pse i duhen qeverisë këto para shtesë, kur nuk po realizon dot as investimet e veta? Kur ingranazhi qeverisës për shkak të megakorrupsionit ka ngecur në çdo investim? Është shumë e vështirë t'i japësh përgjigje kësaj pyetjeje!

Po për buxhetin çfarë mund të themi?

Të njëjtat fjalë. Nuk financohet arsimi, kur e dimë mirë se mësuesit janë të keqpaguar, dhe se shkollat janë pa ngrohje, janë pa laboratore cilësore, dhe se ka nevojë që buxheti i arsimit të dyfishohet. Qeveria e ka programuar financimin me 2,5% të PBB. Në 2013 premtoi ta çonte në 5%.

Pas 14 vitesh e ka lënë në harrese. Çfarë do të kërkonte? Sikur të vidhet në rrugë vetëm 25% më pak, do të mjaftonte kjo që arsimi të merrte financim të mjaftueshëm! Por s'ka për të ndodhur!

Po shëndetësia? A nuk dalin njerëzit në shesh edhe për të? A nuk mungojnë ilaçet gjithandej, nga më të thjeshtat dhe elementaret? A nuk po ikin mjekët kudo? Bashkë me infermieret? A nuk po zbrazet sektori nga profesionistët? Pse? Sepse nuk financohet. Jo vetëm pagat, por në tërësi!

Sepse mjekët nuk pranojnë më t'u thonë pacientëve që shërbim nuk ka, sepse mungojnë serumet, fashot dhe preparatet! Dhe kur këto probleme janë në Tiranë, a mund ta mendoni se si është kjo situatë nëpër zonat e largëta? Çfarë kërkojnë mjekët më shumë? Aq sa kanë marrë inceneratoret vetëm në një vit dhe që vazhdojnë të marrin, do të mjaftonte të kishte të paktën kushte njerëzore, aparatura dhe ilaçe për ata me sëmundjet më të renda!

Po bujqësia? Njësoj. Sikur të mos mjaftojnë faktet se bujqësia është në rënie për të pestin vit radhazi? Sikur të mos mjaftojë fakti se fermerët po largohen, sepse nuk marrin as edhe një lek ndihmë nga shteti? Sikur të mos mjaftojë fakti se nuk konkurrojnë dot me asnjë vend të rajonit, sepse fermerët atje subvencionohen 3 herë, 5 herë, 10 herë më shumë nga shteti i tyre, që nuk i përze, por i mbështet!

Dhe çfarë kërkojnë ata? 50 milionë euro në vit më shumë do të bënin diferencën, ose aq sa Ballluku futi në xhep për një tunel të vetëm.

Po industria dhe prodhimi i produkteve „Made in Albania“? Këta kërkojnë përkrahje. Sepse narkoeuro ka fundosur eksportuesit, dhe tatimi i dyfishuar mbi prodhuesit e vërtetë do rezultonte në frenim të investimeve.

Por ne kemi nevojë për shumë më tepër investime në teknologji. Këtë mund ta bëjë sektori privat, gjithmonë nëse qeveria u lë ndonjë lek në xhep. Por leket po ia merr dhe euron, me bekimin e saj, po e con në gropë çdo ditë e më shumë! Se nga ana tjetër, për më shumë mbështetje as që bëhet fjalë! Por çfarë bën rajoni për sektorin prodhues të tyre? Gjithçka, nga lehtësirat fiskale e deri tek mbështetjet me programe financimi. Ne? Të kundërtën!

Po për pensionistët? Kemi pensionet më të ulta në rajon! Shumë më të ulta! Dhe çfarë bën qeveria? Jep bonus me pikatore, se për të mbajtur frymën gjallë? A është kjo një jetë dinjitore për ta? Aspak! Dhe qeveria e di, por qeveria nuk do t'ia dijë! Aq e thjeshtë është.

Nuk dua të flas më shumë për sportin, për kulturën apo për mjedisin, se fati i tyre tashme është vulosur: këta sektorë janë specie në zhdukje!

Të nderuar qytetarë! 2027 ka për të qenë vit i vështirë nga shumë pikëpamje, por edhe një vit ku Shqipëria do të bëjë kthesën që meriton. Në këtë klimë, të diskutosh për qëllimet e kësaj qeverie, kur konsensusi është që Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor dhe që qeveria tashme ka skaduar, është një e vërteta e pamohueshme.

Por nga ana tjetër, Partia Demokratike është duke bërë detyrën e saj të vendosjes së gishtit në plagë dhe ofrimit të alternativës optimale për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë shumë e rëndë. Partia Demokratike e ka bërë këtë disa herë gjatë këtyre 30 viteve dhe përsëri do ta bëjë! Por për këtë ka nevojë për mbështetjen, më të gjerë të mundshme, edhe të atyre socialistëve që njësoj si të tjerët vidhen, meqenëse përkeqësohen, keqtrajtohen dhe varfërohen çdo ditë!

Burimi: Ora News

Video

Shpërndaje

Lajme të ngjashme