Sipas projektbuxhetit 2027, 21 bashki nga i gjithë vendi, që përfaqësojnë një të tretën e territorit shqiptar, do të depozitojnë mbetjet në zonën e menaxhimit të Shkodrës, duke përfshirë edhe bashki të qarqeve Elbasan dhe Fier.
Shkodra pritet të jetë destinacioni kryesor për mbetjet e 21 bashkive në të gjithë vendin, të cilat shtrihen në një të tretën e territorit të Shqipërisë.
Sipas projektbuxhetit 2027, drejt zonës së menaxhimit të mbetjeve Shkodër do të orientohen jo vetëm bashkitë e veriut, por edhe ato të qarqeve Elbasan dhe Fier, që ndodhen qindra kilometra larg.
Të dhënat tregojnë se 34% e bashkive të vendit, të cilat përfaqësojnë gjithashtu një të tretën e territorit të vendit, do të depozitojnë mbetjet në Bashkinë e Shkodrës dhe për këtë do të marrin financime shtesë nga buxheti i shtetit.
Përveç problemeve mjedisore në kryeqendrën e Veriut, menaxhimi i mbetjeve në këtë mënyrë do të ketë një kosto të jashtëzakonshme të transportit, për shembull nga Librazhdi në Shkodër, duke marrë në konsideratë edhe trafikun e rënduar. Një kamion që niset nga Përrenjas me mbetje duhet të qëndrojë disa orë në trafikun e Elbasanit dhe më pas disa të tjera në Tiranë dhe në Lezhë.
Sipas planit të qeverisë, 21 bashki janë përfshirë në zonën e menaxhimit të mbetjeve Shkodër. Ato përfaqësojnë 34,4% të bashkive të Shqipërisë dhe shtrihen në rreth 9.625 kilometra katrorë, ose afërsisht 33,5% të territorit kombëtar.
Në grupin e parë përfshihen bashkitë Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Pukë, Fushë Arrëz, Lezhë dhe Kurbin.
Por lista zgjerohet edhe me bashkitë Librazhd, Elbasan, Rrogozhinë, Peqin, Cërrik, Belsh, Përrenjas dhe Gramsh, të cilat sipas dokumentit do të financohen për transportin e mbetjeve drejt zonës së Shkodrës.
Të njëjtin destinacion kanë edhe bashkitë Fier, Lushnjë, Roskovec, Patos, Divjakë dhe Mallakastër.
Përfshirja e bashkive të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut në zonën e menaxhimit të mbetjeve Shkodër ngre pikëpyetje për mënyrën e organizimit të transportit, distancat që duhet të përshkojnë mjetet dhe kostot financiare që do të krijohen për pushtetin vendor, për shkak edhe të kaosit në trafik.
Fondet shtesë për transportin e mbetjeve drejt Shkodrës do të akordohen në formën e transfertës së pakushtëzuar sektoriale. Shpërndarja sipas bashkive është mbështetur në dy kritere: sasinë vjetore të mbetjeve dhe kostot shtesë të transportit drejt pikave fundore të grumbullimit dhe përpunimit.
Kjo nënkupton se buxheti i shtetit do të mbështesë financiarisht transportin e mbetjeve, por bashkitë do të duhet të kontribuojnë edhe me të ardhurat e tyre për të përballuar kostot.
Përveç Shkodrës, dokumenti përcakton zonën e menaxhimit Tiranë për gjashtë bashki: Krujë, Durrës, Vorë, Kamëz, Shijak dhe Kavajë.
Në zonën e Gjirokastrës përfshihen dhjetë bashki, ndërsa gjashtë bashki të tjera janë orientuar drejt zonës së menaxhimit Korçë.