Kalo te përmbajtja kryesore

Qeveria përgatit 'super-taksë' për 40 mijë apartamente bosh në Tiranë dhe vila në bregdet

Projektligji për taksën e pasurive të paluajtshme do të rishikohet për të shtuar elementë të rinj të 'super-taksës' për apartamentet bosh dhe vilat në bregdet, siç njoftoi kryeministri Edi Rama.

Nga Redaksia

· 2 min lexim

Shpërndaje
Qeveria përgatit 'super-taksë' për 40 mijë apartamente bosh në Tiranë dhe vila në bregdet

Pikat kryesore

  • Projektligji për taksën e pasurive të paluajtshme do të rishikohet për të shtuar 'super-taksë' për apartamentet bosh dhe vilat në bregdet.
  • Rreth 40 mijë apartamente bosh në Tiranë do ti nënshtrohen regjimit të ri të taksimit.
  • Tarifa tatimore do të rritet nga 0.05% në 0.1%-0.2% e vlerës së pronës, me zbritje 50% për banesën e parë.

Projektligji i paraqitur për konsultim publik 'Për Taksën e Pasurive Të Paluajtshme', i cili synon të kalojë në një sistem taksimi të pronave në bazë të çmimeve të tregut, do të rishikohet përsëri për të përfshirë elementë të rinj të 'super-taksës për apartamentet bosh dhe për vilat në bregdet', siç njoftoi kryeministri Edi Rama.

Regjimi tatimor që zbatohet aktualisht në Shqipëri vendos në shumë raste të njëjtën barrë tatimore, si për një person që ka pasuri të paluajtshme në qendër të qytetit, ashtu edhe për një person që ka pasuri të paluajtshme me të njëjtat karakteristika, por në periferi të qytetit, me vlerë më të ulët.

Përveç se taksimi do të bëhet në bazë të vlerës që ka prona në treg, do të ndryshojë edhe tarifa, nga 0.05% që është aktualisht propozimi ishte që të shkojë nga 0.1% në 0.2% e vlerës së saj.

Kjo formulë nuk do të preket, por sipas burimeve do të rritet taksimi për vilat, shtëpitë e dyta dhe ato në bregdet, megjithëse ende nuk specifikohet se për çfarë vlerash po diskutohet aktualisht. Gjithashtu ende nuk janë detajuar kriteret dhe afërsia me detin që duhet të ketë një vilë për të paguar taksën e rritur.

Mësohet se pjesë e 'super-taksës' do të jenë vetëm apartamentet që janë bosh në Tiranë, për të cilat flitet se janë rreth 40 mijë prona që do ti nënshtrohen regjimit të ri të taksimit.

Ndërsa do të mbetet e pandryshuar ndarja e vendit në 7 zona, që do të përdoren për të reduktuar tatimin për banesën e parë.

Individi i cili ka në pronësi apo posedim 2 ose më shumë banesa, ka të drejtën e zbritjes për banesën e parë, për vetëm 1 prej këtyre banesave.

Zbritja që do ti bëhet vlerës së pronës para se të taksohet do të jetë 50%, pra një apartament 100 mijë euro në Tiranë, do të zbritet 50 mijë euro nga vlera e më pas do ti nënshtrohet tatimit.

Paralelisht me hartimin e kësaj nisme të rishikuar ligjore, 11 institucione po punojnë për të hartuar referencat e reja me çmimet e pronave. Burime nga Ministria e Financave pohojnë se synimi është që ky proces të finalizohet brenda këtij viti, dhe sqarojnë se nuk do të përfshihet Tirana, pavarësisht lëvizjes së çmimeve pas 2023-shit.

Burimi: Lajmi i Fundit

Shpërndaje

Lajme të ngjashme