Kryeministri Rama njoftoi se në të ardhmen e afërt do të ketë taksim shtesë për shtëpitë bosh.
Rama argumentoi se rritja e shpejtë ekonomike dhe shtimi i kostove të jetesës shkaktojnë diferenca sociale që kërkojnë ndërhyrje përmes masash fiskale.
Sipas tij, një nga masat në shqyrtim është vendosja e një takse më të lartë për pronarët që blejnë apartamente dhe i mbajnë ato bosh, pa i ofruar në tregun e qirave.
„Një super taksë prone për ata që blejnë dhe mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t'i japin me qira. Është e drejta e tyre, por duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve“, u shpreh kryeministri.
Gjithmonë ka ekzistuar debat rreth një sasie të madhe shtëpish që qëndrojnë bosh, të cilat mund të jenë shitur ose janë ende në pronësinë e ndërtuesve edhe shumë vite pas përfundimit të objektit.
Pas deklaratës së fundit të Kryeministrit, ekofin.al analizoi me ndihmën e të dhënave të vëna në dispozicion nga NAREA®️, Shoqata e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, normën kombëtare të vakancës së banesave në Shqipëri, e cila rezulton mbi 25%. Sipas të dhënave, kjo normë është trefishuar që nga viti 2001.
Një seri tjetër të dhënash, të siguruara nga ekofin.al, ajo e kontratave familjare të energjisë nga OSHEE/FSHU, jep një sinjal të ngjashëm për shkallën e banesave që nuk përdoren rregullisht.
Në dhjetor 2025 kishte 1.175.894 kontrata aktive familjare, krahasuar me 1.157.926 një vit më parë, një rritje prej 1,55%. Megjithatë, rreth 20,2%, ose 1 në 5 e këtyre kontratave, kishin konsum zero çdo muaj. Përveç tyre, rezultojnë edhe 87.181 kontrata të pezulluara.
Këto të dhëna përbëjnë një tregues të mospërdorimit të banesave, por nuk duhen interpretuar me siguri 100% si një numër i drejtpërdrejtë i shtëpive bosh.
Çfarë tregojnë faturat e energjisë?






