Një 47-vjeçar u godit brutalisht nga efektivet e forcave Shqiponja gjatë protestave të javës së kaluar.
Një nga episodet më të rënda të protestave qytetare të javës së kaluar ishte padyshim goditja e ashpër e një 47-vjeçari nga efektivet e forcave Shqiponja.
Pamje që u filmuan nga gazetari Osman Stafa bënë me shpejtësi xhiron e rrjetit.
Po kush ishte personi që u gëllua me shkop gome dhe shkelma në trup dhe në kokë, derisa u la pa ndjenja në një kënd të errët pranë stadiumit Dinamo?
Lulëzim Gjini, pjesëmarrës në protestë, tregon se atë natë ka qenë bashkë me tre vajza të tjera të cilat përpiqeshin t'i shmangeshin policisë. Papritmas tre efektivë të Shqiponjave i kanë goditur me spray në sy, duke bërë kështu të humbin ndjenjat.
Do të ishte ky momenti kur situata do të përshkallëzohej dhe disa dhjetra uniforma të policisë do të sulmonin grupin e vogël të protestuesve. Për cudi, kësaj radhe, pas dhunës, efektivet do të largoheshin pa kryer procedurën e zakonshme të shoqërimit të personave të kapur. Kjo është e provuar edhe nga disa foto të bëra pak minuta pas sulmit brutal, ndërsa 47-vjeçari ishte dërguar në QSUT.
A mund të ketë shkak më të madh se sa rreziku i një traume fizike, për të hequr dorë nga dalja në sheshe dhe përballja me forcat e policisë?
Lulëzimi thotë se ka dalë dhe do të dalë çdo ditë në protestë. Po çfarë e shtyn një qytetar të dalë e të protestojë për mbi 150 ditë pa ndërprerje?
Ai thotë se është 47 vjeç sot dhe nuk ka një shtëpi të tij. Por për t'iu kthyer momentit të dhunës policore, sipas komunikatës së policisë, personi i identifikuar si dhunues i Lulëzim Gjinit, efektivi i Shqiponjave me inicialet A.K., është pezulluar nga detyra, ndërsa vetë i dëmtuari ka bërë kallëzim në lidhje me rastin.