Një shtetas shqiptar, i identifikuar si Kolian Ilia, është arrestuar nga autoritetet greke në kuadër të hetimeve për shpërthimin e fuqishëm që ndodhi më 25 shtator në lagjen Plaka të Athinës, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre tre shqiptarë.
Bashkë me të janë vënë në pranga edhe dy shtetas grekë, përkatësisht 37 dhe 55 vjeç, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në ngjarjen me pasoja tragjike.
Sipas të dhënave të hetimit, tre personat dyshohet se kishin ndërhyrë në rrjetin e furnizimit me gaz natyror të një ndërtese, me qëllim të vjedhin tubacionet prej bakri.
Autoritetet dyshojnë se gjatë kësaj ndërhyrjeje është dëmtuar sistemi i gazit, duke shkaktuar një rrjedhje që zgjati për disa orë. Gazi i grumbulluar brenda godinës dyshohet se shkaktoi më pas shpërthimin e fuqishëm.
Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të 25 shtatorit, në rrugën Lysikratous, në një prej zonave historike të kryeqytetit grek.






