Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë arrestuar Bilal Karain, pronarit të rrjetit spitalor Sante Plus, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për abuzime financiare dhe tregtim ilaçesh të kontrabanduara.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë realizuar një operacion të gjerë policor, duke çuar në arrestimin e Bilal Karait, pronarit të rrjetit spitalor „Sante Plus“, dhe Geriana Arapit, ish-drejtoreshës së këtij spitalit. Arrestimi i Karait u krye pasi ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare që nga viti 2025.
Sipas hetimeve, Kara akuzohet për abuzime të rënda financiare dhe ligjore të kryera përmes klinikës private „International Medicare“ (ish-"Sante Plus"). Ky institucion shëndetësor u vu në qendër të hetimeve dhe u bllokua pasi dyshohet se kishte fshehur fitime me vlerë 1 milion euro. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga autoritetet kompetente, në ambientet e klinikës u konstatuan shkelje të rënda, përfshirë tregtimin ose përdorimin e ilaçeve të skaduara, produkte të kontrabanduara, si dhe pesë punonjës të konstatuar të pasiguruar.
Operacioni në Maqedoninë e Veriut, i cili çoi në arrestimin e pronarit të spitalit, u zhvillua në kuadër të një hetimi më të gjerë për procedura të paligjshme që lidheshin me operacionet e syrit. Gjatë këtij aksioni, forcat e sigurisë goditën një grup të strukturuar kriminal, ku bënin pjesë disa zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Maqedoninë e Veriut.
Në total, gjatë operacionit u ndaluan 11 persona, mes të cilëve figuron edhe ish-drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Den Donçev. Autoritetet e të dyja vendeve po bashkëpunojnë për të zbardhur shtrirjen e plotë të kësaj skeme abuzive dhe për të proceduar më tej me ekstradimin e personave të shpallur në kërkim.