Kur apartamenti bëhet më i leverdishëm se fabrika, qeveria e gjen zgjidhjen tek taksa!
Debati rreth taksimit të pronës dhe banesave bosh nuk duhet të reduktohet në një çështje ideologjike. Do të ishte vërtet një zbulim politik me përmasa historike, po të mos ishte fakti se me të majtën qeveria socialiste nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë lidhje të veçantë!
Kjo çështje duhet parë në një kontekst shumë më të gjerë: atë të një ekonomie ku ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme po thithin një pjesë gjithnjë e më të madhe të kapitalit, investimeve dhe kreditimit, ndërkohë që sektorët që duhet të garantojnë zhvillimin afatgjatë mbeten shumë të dobët.
Të dhënat për peshën e ndërtimit në ekonominë shqiptare tregojnë një prirje që meriton vëmendje. Pesha e sektorit në PBB është rritur nga rreth 9,5% në vitin 2021, në 11,2% në vitin 2022 dhe 11,65% në vitin 2023, duke iu afruar 12,6% në vitin 2025.
Ndërkohë ritmi i rritjes së sektorit ka qenë në disa vite dukshëm më i lartë se ritmi i rritjes së përgjithshme të ekonomisë, zgjerimi i tij nuk duket se është mbështetur vetëm në kërkesën reale. Ndërtimi është bërë një nga destinacionet më të lehta për kapitalin privat, në një ekonomi e cila nuk arrin të zhvillojë sektorë të tjerë me produktivitet dhe potencial eksportues. Në këtë rast, nuk kemi thjesht një sektor që po rritet shpejt. Kemi një treg ku çmimet rriten megjithë ofertën e bollshme edhe apartamentet mbeten bosh. Shkurt kemi një ekonomi që ka përqendruar burimet e saj në një model zhvillimi ku ndërtimi dhe rritja e vlerës së pronave marrin përparësi ndaj prodhimit, inovacionit dhe krijimit të vlerës së shtuar. Ose, thënë më thjesht, një ekonomi ku apartamenti është bërë investim më tërheqës se fabrika. Të dhënat e kreditimit po ashtu tregojnë një zgjerim të financimit për ndërtimet e reja dhe një rritje të ekspozimit financiar ndaj pasurive të paluajtshme.
Në ndërtim është krijuar një cikël vetëpërforcues: rritja e çmimeve të pronave nxit pritshmëritë për fitime të mëtejshme; këto pritshmëri tërheqin investitorë të rinj; kërkesa për financim rritet; bankat ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj të njëjtit sektor dhe kapitali largohet nga mundësi të tjera investimi. Edhe vetë Kryeministri Edi Rama ka nxitur këtë cikël kur deklaronte se çmimet e pronave dhe apartamenteve në Shqipëri do të rriten me dy herë kur vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
A mundet një qeveri, përmes politikës fiskale, të korrigjojë një model ekonomik të ndërtuar edhe ushqyer nga vetë ajo, ku burimet orientohen gjithnjë e më shumë drejt akumulimit të pasurive të paluajtshme dhe gjithnjë e më pak drejt aktiviteteve prodhuese?






