Bashkia e Tiranës nuk realizoi rreth 13,8 miliardë lekë investime të planifikuara gjatë vitit 2025, duke shpenzuar më pak se gjysmën e fondeve të parashikuara në buxhetin e ndryshuar. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, realizimi i shpenzimeve kapitale arriti vetëm 48%, ndërsa në tri vitet e fundit ky tregues ka mbetur vazhdimisht në nivele të ulëta, pavarësisht rritjes së fondeve të planifikuara.
Të dhënat e përfshira në raportin e auditimit të performancës për qarkullimin rrugor në Tiranë tregojnë se në vitin 2025 Bashkia kishte planifikuar fillimisht 14,88 miliardë lekë për investime, por gjatë vitit buxheti u rrit në 26,73 miliardë lekë, ose rreth 80% më shumë. Në fund të vitit, shpenzimet faktike arritën vetëm 12,88 miliardë lekë, duke lënë të parealizuara 13,85 miliardë lekë kundrejt planit të ndryshuar.
Problemi është përsëritur edhe në vitet e mëparshme. Në vitin 2023, Bashkia realizoi 10,34 miliardë lekë investime nga 21,58 miliardë të planifikuara, ose 48%. Situata u përkeqësua në vitin 2024, kur realizimi zbriti në 41%, me 9,03 miliardë lekë të shpenzuara nga 22,01 miliardë lekë të planifikuara.
Megjithëse investimet faktike u rritën në vitin 2025 krahasuar me vitin paraardhës, ato vijuan të mbeten shumë poshtë objektivave buxhetore. Në total, gjatë periudhës 2023–2025, Bashkia realizoi rreth 32,25 miliardë lekë shpenzime kapitale, nga 70,32 miliardë lekë të planifikuara në buxhetet përfundimtare të tre viteve. Kjo përfaqëson një realizim prej rreth 45,9%.






