Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, priti një delegacion përfaqësuesish të partisë simotër italiane, Fratelli d'Italia (Vëllezërit e Italisë).
Në takim morën pjesë Prof. Dr. Ugo Falcone, Koordinator i Observatorit Gjeopolitik të Bregdetit Adriatik, Nënkryetar i Klubit UNESCO të Udines dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare të Fratelli d'Italia; arkitekti Roberto Guggino, këshilltar bashkiak dhe kryetar i grupit të Fratelli d'Italia në Bashkinë e Pradamanos (Udine), si dhe bashkëpunëtor i BLDing Studio Srl (Pordenone); dhe z. Albert Meçaj, këshilltar biznesi me përvojë ndërkombëtare dhe anëtar i Observatorit Gjeopolitik të Bregdetit Adriatik.
Kryetari i Partisë Demokratike falënderoi përfaqësuesit e Fratelli d'Italia për bashkëpunimin dypalësh dhe mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Demokratike në momentet më të vështira të përballjes së saj me regjimin e Edi Ramës.
Gjatë takimit, Berisha i njohu të ftuarit me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te protestat studentore, të cilat i cilësoi ndër më të fuqishmet në historinë e vendit. Ai theksoi se studentët janë ngritur kundër korrupsionit, narkoshtetit dhe shkatërrimit të procesit zgjedhor, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza.
Berisha deklaroi se problemi më madhor i Shqipërisë, me pasoja shkatërrimtare për demokracinë, shtetin ligjor, shoqërinë dhe ekonominë, është narkoshteti i kryesuar nga Edi Rama, të cilin e cilësoi të parin dhe të vetmin në Europë.
Sipas tij, Shqipëria është sot eksportuesja kryesore e kanabisit në Europë, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë ndër transportuesit dhe kontrolluesit kryesorë të tregut europian të kokainës. Ai deklaroi se këto kartele kanë shtrirë ndikimin e tyre edhe mbi portet shqiptare, të cilat i përshkroi si pika të lira për trafikun e drogës.
Kryetari i Partisë Demokratike denoncoi lidhjet e karteleve shqiptare të drogës, në Shqipëri dhe Amerikën Latine, me policinë, prokurorinë, gjykatat dhe nivelet më të larta të pushtetit ekzekutiv.
Ai akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën se ka pritur në zyrën e tij përfaqësues të kartelit Sinaloa dhe se u ka mundësuar, në kundërshtim me ligjin, licensa për kazino dhe hotele me pesë yje.






