Prokuroria e Posaçme ka përdorur qindra komunikime të vartësve të Belinda Ballukut për të vërtetuar pronësinë faktike të ish zëvendëskryeministres mbi vilën në Dhërmi, ku u gjet fotografia e një kutie me euro.
Qindra komunikime të vartësve ose bashkëpunëtorësh të Belinda Ballukut, si dhe telefonata gjatë viteve 2018-2025, janë përdorur nga Prokuroria e Posaçme për të vërtetuar pronësinë faktike të ish zëvendëskryeministres mbi vilën dykatëshe tip Begonia në „White Rocks“ në Dhërmi.
Vila me sipërfaqe 103 m², e rrethuar me një parcelë toke jo më pak se 300 m², për të cilën SPAK thotë se aktualisht vlen 720 mijë euro, është përdorur nga Balluku që nga qershori i vitit 2019 deri të paktën në shkurt-mars 2026, periudhë kur SPAK ka lokalizuar telefonin e Ballukut në këtë zonë, përpara se vila të sekuestrohej me vendim gjykatë vetëm 3 muaj më vonë.
Në dokumentin e lexuar nga Report Tv janë dhjetëra faqe me prova që sipas Prokurorisë së Posaçme vërtetojnë pa asnjë lloj dyshimi se vila në kompleksin turistik „White Rocks“, e cila formalisht rezulton në emër të ish futbollistit të njohur Igli Tare, i përket në fakt ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Komunikimet e ish vartësve, shoferit të Ballukut, punonjësve të pastrimit në shtëpinë e saj në Tiranë, administratorëve të kompleksit dhe familjarëve të këtyre të fundit të gjithë i referoheshin godinës 'f6' si „vila e shefes“. Ndërkohë arredimi ose investimet ishin bërë sipas preferencave të Ballukut, ndërsa në godinë janë gjendur foto dhe prova të tjera që vërtetojnë se ish zëvendëskryeministrja e përdorte atë në vazhdimësi, për të paktën disa herë çdo muaj për vite më radhë, sipas qelizave telefonike të numrit celular të Ballukut.
Ekziston edhe një detaj interesant në një dokument të SPAK që Report Tv ka lexuar. Një mesazh i dërguar në mëngjesin e datës 17 korrik 2021 nga bashkëshorti i pastrueses së Ballukut në banesën e saj në Tiranë tregon sipas SPAK një fotografi, në të cilën shfaqet një kuti e kuqe, në të cilën ndodhen tufa kartëmonedhash 50 euroshe, të lidhura me llastik. Prokuroria e Posaçme shkruan në dokument se kutia e kuqe është „në dukje si në ambientet e vilës F6, në kompleksin White Rocks“.
Pra kutia e kuqe e mbushur me euro sipas SPAK ndodhet në vilën e Ballukut në Dhërmi.
Bashkëshorti i pastrueses së Ballukut, Lavdrim Smone, së bashku me gruan dhe vajzën e tij sipas të gjitha komunikimeve zhvendosen herë pas herë në vilën e Dhërmiut për të bërë pastrimet. Shpesh i dërgonte atje shoferi personal i ish zëvendëskryeministres.