Një 21-vjeçar nga Azerbajxhani u arrestua në Shkodër ndërsa transportonte me automjet 6 emigrantë të huaj që dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi.
Një 21-vjeçar nga Azerbajxhani është arrestuar në Shkodër, pasi u kap duke transportuar me automjet 6 emigrantë të huaj, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi. Policia ka njoftuar se 21-vjeçari u kap në rrugën automobilistike në Vukpalaj. Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër finalizoi operacionin e koduar „Transit 5“, duke goditur një rast tjetër të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në flagrancë u arrestua një 21-vjeçar nga Azerbajxhani, i cili transportonte me automjet 6 shtetas nga vendet e treta, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në Malin e Zi.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar „Transit 5“.
Si rezultat i operacionit, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare dhe Migracionit Bajzë arrestuan në flagrancë shtetasin F. B., 21 vjeç, banues në Zagatala, Azerbajxhan.
Ky shtetas u kap në rrugën automobilistike në Vukpalaj, pranë kufirit me Malin e Zi, ndërsa transportonte me automjetin tip „Hyundai“ 6 shtetas nga vendet e treta, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.