Bashkia e Tiranës ka shpallur rreth 1500 fituesit e radhës për programin social të subvencionimit të interesave të kredive për blerjen e banesave.
Bashkia e Tiranës ka njoftuar rreth 1500 fituesit e ardhshëm nga aplikimet për programin social „Për subvencionimin e interesave të kredive“, një mundësi e rëndësishme për familjet që dëshirojnë të blejnë një apartament në kryeqytet.
Lista e aplikuesve të deklaruar fitues, të cilëve do t'u subvencionohen interesat e kredisë nga buxheti i shtetit për blerjen e një apartamenti në Tiranë, është paraqitur për miratim në mbledhjen e muajit tetor të Këshillit Bashkiak.
Programi për subvencionimin e interesave të kredive, i cili është zbatuar për disa vite, ka qenë një nga iniciativat e para të kryebashkiakut Erion Veliaj në fillim të mandatit të tij.
Ai ka për qëllim të zvogëlojë barrën financiare për individët dhe familjet me të ardhura të ulëta, duke subvencionuar një pjesë të interesit të kredisë për blerjen e një banese. Përmes këtij sistemi, përfituesit kanë mundësinë të sigurojnë një shtëpi me kushte më të favorshme financiare, ndërsa kredia shlyhet me një normë interesi prej 3%, sipas kushteve të programit.
Pasi Këshilli Bashkiak të miratojë listën, fituesit duhet të paraqiten pranë bankave të nivelit të dytë me të cilat Bashkia e Tiranës ka nënshkruar marrëveshje, për të vazhduar procedurat e përfitimit të kredisë së butë për blerjen e banesës.
Vlera e kredisë që përfiton secili aplikues përcaktohet në bazë të numrit të anëtarëve të familjes dhe kritereve të programit.
Për shumë familje që përballen me vështirësi në përballimin e kostove të larta të banimit, ky program përfaqëson një mundësi konkrete për të pasur një shtëpi të tyren.